image Konkursi për rektor të UP-së hapet të hënën

Konkursi për rektor të UP-së hapet të hënën

news image

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se konkursi për rektor do të hapet të hënën më 24 tetor. Ky vendim erdhi pas atij për shkarkimin e rektorit Naser Sahiti.

Ndërkaq, ushtruese e detyrës së rektores do të jetë profesoresha Luljeta Plakolli-Kasumi, profesoreshë në Fakultetin Juridik në UP.

“Konkursi do të hapet të hënën, me datë 24 tetor 2022, dhe shpresojmë të përfundojë me sukses, sipas përcaktimit të saktë dhe të qartë të ligjit, statutit në fuqi dhe parimit të meritës”.

“Prof. ass. dr. Plakolli-Kasumi ka marrë përsipër këtë detyrë që të ndihmojë mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe të sigurojë ligjshmëri në konkurrencë gjatë procedurës së zgjedhjes së rektorit të UP-së”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Ndërsa, shtojnë se Plakolli-Kasumi nuk pretendon të marrë pjesë në konkursin për rektor. Sipas njoftimit, pas përmbylljes së procesit, ajo do t’u kthehet angazhimeve në Fakultetin Juridik.

/GazetaSinjali/