image Konjufca uron homologen e tij shqiptare, e fton për vizitë në Kosovë

Politikë

Konjufca uron homologen e tij shqiptare, e fton për vizitë në Kosovë

news image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar homologen e tij për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, të cilën e ftoi për vizitë zyrtare në Kosovë.

“Kam nderin që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta për sukses në detyrën tuaj të re, në krye të institucionit që, për nga rëndësia, me të drejtë e keni quajtur shtëpi e të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, thuhet në telegramin e urimit të Konjufcës.

Konjufca tha se duke ndjekur prioritetet e institucioneve të reja në Shqipëri, ato nuk dallojnë shumë nga institucionet e Kosovës, ku sipas tij, sheh mundësi e potencial të gjerë bashkëpunimi mes dy parlamenteve, në mënyrë që t’i përshpejtojnë proceset e të dalin sa më të suksesshëm prej tyre.

“Ju siguroj se tek unë dhe Kuvendi i Kosovës do të gjeni gjithnjë gatishmëri për bashkëpunim, dhe jam besimplotë se nën drejtimin tuaj marrëdhëniet mes dy shteteve bija të të njëjtit komb, do të shtohen e shpeshtohen, dhe bashkëpunimi ndërinstitucional do të përparojë edhe drejt projekteve që rrisin sigurinë, mirëqenien dhe potencialin e shqiptarëve në rajon”, tha ai.

Kujtojmë se përveç Konjufcës, ftesë për vizitë në Kosovë bëri dhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti në drejtim të homologut të tij shqiptar, Edi Rama, i cili disa minuta më vonë përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se së shpejti do ta vizitoj Kosovën dhe do të organizohet mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

/GazetaSinjali/