image Konjufca: S’është koha e dorëheqjeve, është koha e emërimeve

Kosovë

Deklarata/ Konjufca: S’është koha e dorëheqjeve, është koha e emërimeve

news image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur për bisedimet LVV-LDK për koalicionin qeverisës, duke u shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje.

Konjufca është pyetur edhe për gjasat e dorëheqjes së mundshme të tij. Ai nuk u shpreh i gatshëm për t’u dorëhequr nga posti që po e mban peng koalicionin e mundshëm ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

“Unë nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve. Unë mendoj që është koha e emërimeve”, iu përgjigj ai pyetjes së gazetarit.

Nënkryetari i LVV-së tha gjithashtu se askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti.

“Bisedimet po vazhdojnë, nuk ka ende marrëveshje përfundimtare, por unë jam optimist që marrëveshja do të ndodhë dhe askush nuk do të mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor”, tha ai.

Kryesia e Kuvendit sot ka vendosur ta caktojë për të hënën (3 shkurt) në orën 11:00 seancën plenare kur do të votohet përbërja e qeverisë, sipas kërkesës së kryetarit të LVV-së dhe të mandatuarit për kryeministër, Albin Kurtit. /Gazeta Sinjali/