Kryeparlamentari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, ku ka zhvilluar takim me homologun e tij, Gramoz Ruçi, përcjell Gazeta Sinjali.
Në konferencën e përbashkët pas takimit, Konjufca ka falënderuar Ruçin për mikpritjen, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta.
“Kishim një takim të frytshëm. Asnjë fjalë nuk mund ta përmbledh kontributin e madh e të çmuar që Shqipëria e ka dhënë në vazhdimësi për shtetin tonë, Kosovën. Ne kemi interesa të përbashkëta meqenëse jemi në komb. Të tillë mendoj se duhet ta kemi edhe politikën”, tha Konjufca
Tutje ai ka shtuar se së bashku me homologun e tij kanë diskutuar edhe për Gjykatën Speciale dhe procesin e dialogut me Serbinë
“Trajtuam edhe sfidat që vendin tonë e presin. Ne do të përballemi me një dialog të vështirë me Serbinë, meqë faktorët ndërkombëtarë e kanë definuar atë si faza përfundimtare që duhet të përmbyllet ky dialog me një marrëveshje përfundimtare. Na duhet koordinim i thellë dhe i ngushtë me Shqipërinë që Kosova mos të dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Për Kosovën, dëm do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Kosovës që do të kontrollohej nga Beogradi, dhe kjo nuk bënë assesi të ndodh dhe kjo është beteja jonë e përbashkët”, pohoi Konjufca.
Kryeparlamentari ndër të tjera ka theksuar edhe faktin se Kosova po përballet me Gjykatën Speciale dhe se krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte.
“Ne duhet edhe në këtë dimension të bashkërendojmë veprimet tona me Shqipërinë që ta kalojmë me dëme më të vogla këtë sfidë. Lufta jonë e shenjtë dhe e pastër e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës, por e gjithë kombit shqiptar”, tha ai./Gazeta Sinjali/