image Konjufca nga Hungaria kritikon BE-në për mosliberalizimin e vizave për Kosovën

Politikë

Konjufca nga Hungaria kritikon BE-në për mosliberalizimin e vizave për Kosovën

news image

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka mbajtur një fjalim në parlamentin e Hungarisë të cilin e ka nisur duke folur për vështirësitë e pandemisë COVID-19.

“Kontinenti ynë po del dalëngadalë nga një krizë e madhe të cilën e shkaktoi pandemia. Edhe dy muaj bëhen dy vite prej kur u shfaq në botë virusi COVID 19. Bota ndryshoi përgjithmonë. Gati 4,5 milionë njerëz e gjetën vdekjen nga ky virus i rrezikshëm. Kurse ekonomia gjithandej pësoi goditje të rëndë. Por pikërisht nga kjo tragjedi lindi edhe një solidaritet më i madh mes shteteve e popujve. Njerëzimi po triumfon. Të gjithë po e kuptojmë më mirë se vetëm të bashkuar e dukë i ndihmuar njëri-tjetrit mund t’u bëjmë ballë të papriturave që mund të na i sjell koha”.

Ai ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për kosovarët duke thënë se ky është shembull negativ i keqmenaxhimit të procesit.

Konjufca tha se pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret disa shtete anëtare e bllokojnë liberalizimin e vizave padrejtësisht.

Nuk dëshiroj që fjala ime të tingëllojë si lutje. Ne jemi fort të vetëdijshëm që BE-ja nuk është një stacion i jashtëm, por një transformim demokratik i brendshëm i shteteve të integruara. Prandaj jemi fort të përcaktuar e me plot vullnet për vazhdimin e reformave me intensitet më të lartë ashtu që t’i thellojmë ato. Kemi ende punë për të bërë. Ballkani Perëndimor mund ta ketë një të ardhme të sigurt vetëm nëse nuk na e humbni shpresën se anëtarësimi dhe zgjerimi varet plotësisht nga ne, e jo nga ju. Ne do t’i plotësojmë kriteret, ne do t’i bëjmë reformat, ne do t’i shndërrojmë shoqëritë tona, duke e forcuar sundimin e ligjit, duke e luftuar korrupsionin fuqishëm dhe duke e bërë shoqërinë më të barabartë por edhe ekonominë më të zhvilluar”.

Por nëse BE-ja thotë se pavarësisht kësaj, ju duhet të na prisni sepse ne kemi nevojë për disa vite të thellohemi, kjo do të ishte dëshpëruese dhe e parikuperueshme. Ajo që ndodhi me dështimin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës është një shembull mjaft negativ i keqmenaxhimit të procesit. Populli im është i vetmi popull i izoluar në Evropë, i cili nuk mund ta gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë për shkak të regjimit të vizave. Edhe pse Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme, disa shtete anëtare e bllokojnë padrejtësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. BE-ja duhet ta gjejë kurajon që përmes një programi të optimizimit të kritereve dhe reformave, pas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ta përfshinte BP përnjëherë, pra të gjitha shtetet e mbetura në të njëjtën kohë”.

Kryeparlamentari Konjufca tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor varet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian duke shtuar se zgjerimi varet krejtësisht nga ta dhe jo nga vendet e rajonit që tashmë kanë plotësuar kriteret. /GazetaSinjali/