image Konjufca me thirrje për vendet mike: Bandat kriminale serbe synojnë shkëputjen e pjesës veriore nga vendi ynë

Politikë

Konjufca me thirrje për vendet mike: Bandat kriminale serbe synojnë shkëputjen e pjesës veriore nga vendi ynë

news image

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka reaguar pas tensioneve të krijuar në veri të vendit, duke dënuar ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren, raporton Gazeta Sinjali.

Konjufca u shpreh se qëllimi i gjithë këtij tensioni është ta mbajnë të shkëputur pjesën veriore të vendit nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës.

“Shpreh solidaritetin tim personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe uroj shërim sa më të shpejtë! Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, shkroi ai

Gjithashtu, i pari i Kuvendit u ka bërë thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale që mbështetje e kanë presidentin e Serbisë, ku për qëllim kanë destabilizimin e vendit.

“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë! Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit”, tha ai.

“Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet”, përfundoi Konjufca.

/GazetaSinjali/