Marrëveshja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës së Vjosa Osmanit që të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore në zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe fushata e përbashkët e Kurtit e Osmanit, nxiti dyshime në publik se mund të jenë “ftohur” raportet mes Kurtit dhe bashkëpunëtorit të tij të përhershëm, Glauk Konjufcës, shkruan Gazeta Sinjali.
Këto “dyshime” i duken qesharake këtij të fundit. Konjufca tha se raportet e tij me kreun e VV-së janë shumë të mira dhe se nuk di se çfarë duhet të bëjë ai për të dëshmuar një gjë të tillë.
“Nuk po di unë tash, veç me e bo çdo ditë nga një selfie me Albinin. ‘Ja këtu jemi në zyre, duke punuar…’ hahaha. Në këto dy fushatat e fundit kur Albini ka qenë në një anë të Kosovës, unë kam qenë në anën tjetër, që me e mbulu krejt Kosovën. Karakteri i aktiviteteve të mia nuk ka pas publicitet. Prej pesë mijë tubimeve, vetëm 2% e tyre kanë pasë publicitet”, tha Konjufca në T7.
Ndërkaq lidhur me grafitet të cilat kundërshtonin që Osmani të jetë udhëheqëse e listës zgjedhore të VV-së dhe në vend të saj të dalë Konjufca, ky i fundit tha se nuk e di se kush i ka bërë.
Konjufca tha se garanton se ato nuk janë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, ato mund të jenë bërë vetëm nga ata të cilëve u pengon relacioni Kurti – Osmani, Vetëvendosje dhe Lista Vjosa./Gazeta Sinjali/