Më 2 maj të 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë shqiptarë. Më 22 vjetorin e kësaj masakre, kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në varrezat e martirëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Konjufca para gazetarëve tha se kjo masakër është dëshmi se qëllimi i Serbisë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës dhe serbizimi i Kosovës.
“Këtu në Studime për të nderuar martirët e rënë para 22 viteve, e të vrarë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të shtetit të Serbisë. Masakra e Studimes është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin shqiptar të Kosovës. 116 shqiptarë janë vrarë prej forcave të Serbisë, duke mos kursyer as fëmijët, as gratë e as pleqtë, që tregon se qëllimi i qartë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës, shumicën duke i dëbuar prej Kosovës, një pjesë të madhe duke i vrarë dhe masakruar për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, që në fund të serbizohej Kosova, që të spastrohej etnikisht”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari tha se populli i Kosovës është i zemëruar që edhe pas 22 vitesh ende nuk është vendosur drejtësi për këtë gjenocid.
“Ne përveç që kemi pikëllimin që i kemi humbur më të dashurit tanë, një pjesë e madhe e popullit të Kosovës e ka edhe zemërimin për shkak që nuk ka pasur drejtësi këto 22 vjet për këtë gjenocid që e ka përjetuar edhe populli i Studimes, i Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se familjarët e mbijetuar janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi i njohin kriminelët e Masakrës së Studimes me emra./Gazeta Sinjali/