image Konjufca: 28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive

Kosovë

Konjufca: 28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive

news image

Në Kuvendin e Shqipërisë po mbahet mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve Kosovë-Shqipëri.

Gjatë fjalimit të tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka përshëndetur shqiptarët kudo që janë.

Ai tha se 28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive.

“Na ka bërë tok në Tiranë dita më e rëndësishme e kombit tonë, 28 nëntori. Le t’i përshëndesim së bashku nga këtu e ngrohtësisht të gjithë shqiptarët në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, në Preshëve, Medvegjë e Bujanoc, në Greqi, Itali, bashkatdhetarët tanë në Gjermani, Zvicër, SHBA e çdo kund ku ata jetojnë. Jemi këtu dhe ne jemi me ju, e juve iu kemi në zemër. Urime dita e flamurit. 28 nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri, si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë”, tha ai.

“Pikërisht në këtë ditë lindi heroi i madh i Shqiptarisë, Adem Jashari, i cili duke luftuar për komb dhe atdhe, së bashku me Hamzën dhe bacin Shaban, u sakrifikuan me familjarë e me bashkëfshatarë në Prekazin legjendar. Kjo rënie heroike i dha hov Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u shfaq në Drenicë më 28 nëntor po ashtu. Lufta e lavdishme çlirimtare e popullit tonë e largoi okupatorin serb nga Kosova dhe kjo i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu sikur një shekull më përpara Lidhja e Prizrenit i hapi rrugë shpallje së Pavarësisë së Shqipërisë. Hasan Prishtinë e Shaban Polluzha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, zahir Pajaziti e Fehmi Lladrovci të gjithë dëshmorët tanë luftuan dhe ranë për lirinë e kombit shqiptar, meqë në zemrën e tyre e kishin 28 nëntorin”, tha Konjufca.

/GazetaSinjali/