image Konfuzioni për kohëzgjatjen e rezervave të Kosovës

Sociale

Konfuzioni për kohëzgjatjen e rezervave të Kosovës

news image

Mielli dhe prodhimet e miellit, ilaçet, produktet higjienike, si dhe nafta, janë produktet kryesore që përbëjnë rezervat shtetërore të Kosovës.

Ato mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e katastrofave natyrore, luftërave apo edhe krizave në furnizim, thotë një nga themeluesit e rezervave shtetërore të Kosovës, Shaban Halimi, tashmë në pension.

Lufta në Ukrainë dhe pengesat në zinxhirin furnizues shkaktuan panik në disa prej vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, ku javëve të fundit u rrit kërkesa për blerje të miellit dhe vajrave.

Kjo situatë nxiti edhe debatin se a ka Kosova rezerva të mjaftueshme.

Rezervat shtetërore të Kosovës janë themeluar në vitin 2012.

Halimi që ka ushtruar pozitën e drejtorit të rezervave shtetërore, shpjegon se vendimi për të krijuar rezervat shtetërore të Kosovës, ishte marrë pas rrëshqitjes së një orteku bore në fshatin Restelicë në komunën e Dragashit. Në këtë tragjedi kishin vdekur dhjetë persona.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga tragjedia e Restelicës, Halimi thotë se rezervat shtetërore të Kosovës nuk janë zhvilluar sa duhet.

Ai thotë se në rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme natyrore apo agresioni ushtarak, Kosovës i mbarojnë rezervat shtetërore për një periudhë prej dhjetë ditësh.

“Qeveria duhet të reflektojë dhe të kuptojë rolin dhe rëndësinë e rezervave shtetërore që mund të kenë ato në rast të agresionit, fatkeqësive natyrore e mos dhëntë Zoti, edhe në rast të ndonjë lufte”, thekson Halimi.

Halimi i rekomandon Qeverisë të rrisë sasinë e rezervave, nisur nga produktet bazike për jetesë.

“Qeveria duhet ta rrisë sasinë e miellit si produkt kryesor. Të ketë miell për periudhë sa më të gjatë. Pastaj naftën, sepse nafta paralizon jetën në përgjithësi, e pastaj vijnë produktet e tjera ushqimore të gatshme siç janë pastat, kripa, sheqeri, vaji e të tjera, mjetet higjienike, por assesi nuk duhet përjashtuar ujin sepse është produkt kryesor për jetën”, thotë Halimi.

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare publike nga institucionet, sa i takon sasisë së grurit, në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, thonë se sasia e grurit në dispozicion mbulon nevojat për më së shumti tre muaj.

“Në Kosovë duhet të jenë diku edhe 40 mijë deri në 50 mijë tonë grurë pa i marrë parasysh rezervat e fermerëve që janë nëpër shtëpitë e tyre. Unë mendoj se ka sasi të madhe te fermerët, sepse po e shohim kohëve të fundit se është rritur kërkesa për shitje të grurit nga fermerët, sepse ka çmim të leverdishëm dhe ata janë të interesuar ta shesin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Zejnullahu, drejtues i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës.

Kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose në total rreth 400 mijë tonë grurë në vit, shkruan REL.

Qeveria i konsideron sekrete dhe nuk flet për rezervat

Sasia e saktë, lloji i produktit dhe vendndodhja e mallrave që janë në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihet.

Ato konsiderohen ‘sekret shtetëror’ sipas Ligjit për rezervat shtetërore.

Rezervat menaxhohen nga Departamenti i rezervave shtetërore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë pranuar të flasin për sasinë e as organizmin e rezervave shtetërore, me arsyetimin se ato konsiderohen ‘sekret shtetëror’.

MINT-i ka përcjellë një vendim të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes të cilit është “aprovuar kërkesa e Departamentit të rezervave shtetërore që t’u mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të rezervës shtetërore të mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret”.

Ku janë të vendosura rezervat shtetërore të Kosovës?

Ato nuk janë në depo e as magazina në pronësi të institucioneve të Kosovës. Shteti nuk ka depo e as magazina të tilla, pasi, sipas ekspertëve, kjo do të kërkonte investime të mëdha financiare dhe burime njerëzore.

Për këtë arsye, rezervat janë tek operatorët ekonomikë privatë, të cilët kontraktohen nga Departamenti i rezervave shtetërore.

Sipas Ligjit për rezervat shtetërore, në bazë të marrëveshjes, atyre iu përcaktohen sasitë, mënyra e ruajtjes dhe kontrollit, si dhe dalja në treg e këtyre produkteve.

Si me produktet ushqimore dhe higjienike, e njëjta procedurë vlen edhe për naftën dhe produktet e saj.

Nafta, aktualisht, ruhet tek operatorët ekonomikë privatë, të cilët kanë rezervuare në dispozicion. Ata kontraktohen nga institucionet e Kosovës dhe kanë për obligim sigurimin e cilësisë, sigurisë dhe mirëmbajtjes.

Qeveria aktualisht është duke punuar në rregullimin e rezervave të detyrueshme të naftës.

Projektligji që rregullon këtë aspekt është në konsultim publik.

Sipas projektiligjit, në ruajtjen e rezervave shtetërore të Kosovës i jepet përparësi ruajtjes së rezervave në territorin e Kosovës, edhe pse një sasi mund të ruhet në territorin e një shteti anëtar të BE-së ose anëtari të Traktatit të Komitetit të Energjisë me marrëveshje dypalëshe.

Ky projektligj ka gjetur mbështetjen e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

“Rezervat e naftës nuk do të dërgohen vetëm tek një operator ekonomik. Rezervat shtetërore do të ndahen në tërë territorin e Kosovës në mënyrë të barabartë”, thotë Berjani.

Bazuar në projektligjin e ri, rezervat e detyrueshme, do të mbahen në objekte deponuese dhe do të jenë të gatshme ose fizikisht të qasshme gjatë gjithë kohës në përputhje me kontratën e deponimit.

Kompania që mban rezervat e detyrueshme duhet ta bëjë këtë në përputhje me legjislacionin përkatës për cilësinë e produkteve të naftës në Kosovë dhe Departamenti i rezervave shtetërore do të ketë qasje të pakufizuar në verifikimin e cilësisë dhe kushteve tjera të kontratës, thuhet mes tjerash në projektligjin që pritet të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës.

Pas shfaqjes së luftës në Ukrainë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ftuan qytetarët të mos krijojnë stoqe të produkteve në shtëpitë tyre.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, më 26 shkurt tha se vitin e kaluar, por edhe këtë vit shteti ka blerë naftë, miell, produkte ushqimore dhe higjienike, por duke mos speficikuar ndonjë periudhë kohore, për të cilën ato do të mjaftonin.

Njëjtë edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, më 26 shkurt tha se Kosova është e furnizuar mirë dhe se ka rezerva të mjaftueshme.

Për t’i shtuar rezervat, Qeveria e Kosovës ndau 10 milionë shtesë më 23 shkurt.

/GazetaSinjali/