image Përplasje mes drejtorësh në Doganën e Kosovës, shkak konkurset për rehatimin e stafit në pozitat e larta

Kosovë

Konkurset/ Përplasje mes drejtorësh në Doganën e Kosovës, shkak konkurset për rehatimin e stafit në pozitat e larta

news image

Konkurset për rehatimin e personave në pozita në Doganën e Kosovës janë bërë “mollë sherri” mes zyrtarëve të lartë të këtij institucioni.

Dy drejtorë të Doganës janë përplasur me njëri-tjetrin, rreth ligjshmërisë së hapjes së këtyre konkurseve në periudhën kalimtare të ndyshimit të qeverisjes pas zgjedhjeve të fundit.

Gazeta Sinjali ka siguruar komunikimet që i kanë zhvilluar përmes emailit këta dy zyrtarë të lartë, pas kërkesës për hapje të konkursit nga drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Përderisa, udhëheqësi i Departamentit të Burimeve Njerëzore, Ibrahim Xhaka kërkon anulimin e konkurseve, në anën tjetër Fahri Gashi drejtor i Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit, kërkon procedimin e tij.

Në komunikimin që posedon Gazeta Sinjali, Xhaka kërkon anulimin për shkak të ankesave rreth paqartësisë së bazës ligjore dhe me qëllim që sipas tij të mos humbet besimi në publik. Ai e mbështet këtë kerkesë edhe në atakimin që i bëhet bazës ligjore dhe vërejtjeve të Sindikatës së Doganës.      

“Me qëllim që të mos humbim besimin në publik, departamenti i burimeve njerëzore pas marrjes së ankesave ka kërkuar menjeherë që ky konkurs të anulohet.Sot kemi pranuar ankesa nga stafi jonë duke atakuar edhe bazën ligjore ndërsa nga Sindikata janë deklaruar se nuk njohin rezultatet që dalin nga udhëzimi i fundit administrativ  60/2019”, thuhet në emailin zyrtar të dërguar nga Ibrahim Xhaka udhëheqës i Departamentit të Burimeve Njerëzore i cili njëkohësisht kërkon të dijë rreth interesimit të kolegëve nëse duhet të aplikojnë ose jo në këto konkurse.

Lidhur me këtë kërkesë, ai merr një përgjigje nga drejtori i Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit, Fahri Gashi i cili i kërkon kolegut të tij nga burimet njerëzore që të mos krijohet amulli në këtë proces por të procedohet me konkursin, i cili ishte inicuar me kërkesë të drejtorit të përgjithshëm të Doganave, Bahri Berisha.

“Konkursi është i hapur për të gjithë që shprehin  interes konform rregullave dhe procedurave, gjithashtu edhe e drejta e ankesës ështe e normuar dhe e pacënueshme.Është e qartë se sekrtori i personelit vetëm administron procedurat lidhore, ku me kohë janë njoftuar për këtë dhe është e panevojshme të krijohet amulli në këtë proces”, ka shkruar Fahri Gashi, i cili këto ditë është duke zëvendësuar drejtorin gjeneral, Bahri Berisha dhe se përgjigjen e ka dhënë në cilësinë e zëvendësit të drejtorit.  

Gazeta Sinjali merr vesh se Fahri Gashi është person i afërt me drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Bahri Berisha.

Ditë më parë, Gazeta Sinjali ka raportuar sesi Dogana e Kosovës e udhëhequr nga Bahri Berisha po e shfrytëzon vakuumin institucional për të rehatuar persona në pozita të larta.

Para se të formohet Qeveria e re, ky institucion vital i shtetit, ka hapur konkurs të brendshëm për avancimin e stafit në pozita të larta menaxheriale, shkruan Gazeta Sinjali.

Konkursi ishte shpallur për të paktën 7 pozita të larta menaxheriale si dhe për oficerë dogane dhe do të qëndroj i hapur 15 ditë, përkatësisht deri më datën 30 tetor.Sa i përket pozitave menaxheriale janë shpallur vendi për një Udhëheqës të Sektorit të Përfaqësimeve, një Udhëheqës i Sektorit të Përkrahjes dhe pesë pozita Udhëheqës Departamentesh.Përveç tyre, Dogana e Kosovës ka hapur konkurse edhe për oficerë doganorë, merr vesh Gazeta Sinjali nga burimet brenda këtij institucioni.

Përkundër se Doganae Kosovës është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, ajo sikurse edhe institucionet e tjera, në vazhdimësi kanë qenë të ndikuara politikisht përmes punësimeve dhe avancimeve partiake, gjë që ngrit dyshimet për parregullësi në avancimin e stafit në këtë kohë tranzicioni, shkruan Gazeta Sinjali./ Gazeta Sinjali/