Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpeshherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit e madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Në një sherr janë përfshirë së fundi edhe dy vëllezërit nga familjat Binakaj në fshatin Devë të Gjakovës, ku 35-vjeçari dyshohet se e ka kërcënuar vëllain e tij më të madh.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari madje ka tentuar edhe ta sulmojë me një shkop druri viktimën, gjë e cila ka ngjallur frikë dhe shqetësim te 53-vjeçari.
Ky i fundit ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.