Policia e Kosovës ka intervenuar sot në fshatin Lebanë të Prishtinës, pas një incidenti mes dy personave, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se rasti ndodhi pas një mosmarrëveshje mes një 43-vjeçari dhe 53-vjeçari.
Fillimisht rasti u raportua në Polici si kanosje me armë zjarri. Pas marrjes së informacionit, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë takuar dy palët e përfshira në rast.
Sipas burimeve të Sinjalit, njëri nga të dyshuarit ka deklaruar para zyrtarëve policorë se përveç mosmarrëveshjes, nuk e ka kërcënuar të dyshuarin tjetër me armë zjarri. Ai ka thënë se armën e ka pasur në veturë në momentin kur ndodhi ngjarja.
Përveç tij, policia ka marrë deklaratë edhe nga një dëshmitar, sipas të cilit, i dyshuari e ka pasur armën në brez.
Por i njëjti më pas e ka ndryshuar deklaratën. Ai ka thënë se e ka ekspozuar armën pasi ka qenë i kanosur nga personi tjetër i përfshirë në rast.
Pas marrjes së të gjitha deklaratave, është konsultuar edhe prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar që të iniciohet rast dhe të nisin hetimet.