Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift bashkëshortor nga fshati Klinë e Epërme në komunën e Skenderajt, pasi gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se viktima ka deklaruar se i shoqi e ka kërcënuar dhe e ka dëbuar nga shtëpia.
Bazuar në dëshminë e saj, 40-vjeçari e ka kërcënuar atë duke i dhënë ultimatum që deri të nesërmen në mëngjes të largohet nga shtëpia ku bashkëjetojnë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.