Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga fshati Bardhosh i komunës së Prishtinës, pasi gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 27-vjeçari dyshohet që pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshorten e tij, ka shpërthyer në dhunë fizike ndaj saj duke e sulmuar dhe duke i shkaktuar kështu lëndime trupore. Si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna, 30-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë 27-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku ka dhënë deklaratën e tij në cilësinë e të dyshuarit.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe ai të dërgohet në mbajtje për 48 orë.