Sot në Leposaviq janë konfiskuar 272 pajisje për mihje të kriptovalutave dhe është arrestuar një person, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se i gjithë aksioni i Policisë në fshatin Trebice të komunës së Leposaviqit ka përfunduar pa incidente. Sveçla gjithashtu njoftoi se ky aksion u krye pas kërkesës së Doganave të Kosovës.
“Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës“, përfundoi Sveçla.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli më 4 janar ka marrë vendim që të ndalohet prodhimi i kriptovalutave pasi shpenzojnë shumë energji elektrike.
Ndërsa, dje Sinjali raportoi se ka rënë dukshëm vlera e Bitcoinit, sidomos pas situatës në Kazakistan.
Njoftimi i plotë:
Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës.