Autoritetet kineze i kanë raportuar 17 raste të reja të një virusi misterioz, përfshirë tre persona që tashmë ndodhen në gjendje të rëndë, duke i shtuar shqetësimet para festës së vitit të ri kinez, kur qindra miliona njerëz udhëtojnë nëpër pjesë të ndryshme të vendit.
Virusi i ri ka shkaktuar alarm për shkak të lidhjes së tij me një sindrom akut të organeve të frymëmarrjes, nga i cili kishin vdekur rreth 650 persona në Kinë dhe Hong Kong gjatë viteve 2002-2003.
Organet e shëndetësisë njoftuan se 17 rastet e reja janë regjistruar në qytetin Wuhan, ku ishin paraqitur edhe rastet e para. Tre pacientë janë në gjendje më të rëndë dhe dy prej tyre janë në situatë aq kritike, saqë nuk mund të zhvendosen në ndonjë spital tjetër.
Autoritetet lokale të qytetit thanë se vetëm në këtë vendbanim janë infektuar 62 persona, tetë prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë, 19 janë shëruar dhe janë liruar nga spitali, ndërsa të tjerët janë duke u mbajtur të izoluar dhe duke pranuar trajtim mjekësor.
Deri më tash, nga ky virus kanë vdekur dy persona, përfshirë një burrë 69-vjeçar, i cili vdiq të mërkurën pasi kjo sëmundje i shkaktoi tuberkuloz.
Përpos në Kinë, dy raste të virusit janë raportuar në Tajlandë dhe një tjetër në Japoni, shkruan “The Guardian”./Gazeta Sinjali/