Shoferët në qytetet e ndryshme të Kosovës shpesh hasin në probleme mes vete për shkak të mosmarrëveshjeve në trafik. Ato ka raste kur eskalojnë edhe në të shara e në sulme fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje, në orët e mbrëmjes në rrugën “Aridan Krasniqi” në Pejë, ku një 21-vjeçar ka sulmuar fizikisht dy të mitur, si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion.
Sinjali mëson se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë Spitalin rajonal të Pejës.
Njësitet policore kanë shoqëruar në stacion të dyshuarin dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprat penale “Sulm” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.