image Komunat veriore të Kosovës zbatojnë orën policore të Vuçiqit

Kosovë

Pandemia/ Komunat veriore të Kosovës zbatojnë orën policore të Vuçiqit

news image

Katër komunat veriore të Kosovës; Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë vendosur ta zbatojnë gjendjen e jashtëzakonshme (edhe orën policore) të cilën e ka shpallur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Të ashtuquajtura Organe të Përkohshme, që në fakt janë komunat paralele kanë urdhëruar banorët që ta respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të Vuçiqit. Të ashtuquajtura Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos del nga shtëpitë e tyre prej orës 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

“Pasi që Serbia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa nga sot edhe orën policore, Organi i Përkohshëm i Mitrovicës së Veriut, respektivisht Shtabi i Krizës për situatë të jashtëzakonshme ka marrë vendim me të cilin ndalohet lëvizja në periudhën prej orës 20:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit, derisa për pensionistët dhe persona më të vjetër se 65 vjeç vlen ndalimi i plotë i daljes nga shtëpitë. Ushqimin dhe barnat do t’i sjellin vullnetarët dhe të afërmit, të cilët mund të thërrasin në telefonat përkatës prej orës 8:00 deri në ora 18:00. Ndalimi i lëvizjes nga ora 20:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit vlen edhe për të gjithë taksitë dhe transportuesit privat, derisa të gjitha objektet ushqimore me pakicë kohën e punës do ta përshtatin prej orës 6:00 deri në ora 19:30. Qytetarëve u rekomandohet që t’u përmbahen këshillave të mjekëve, që t’i mbajnë maskat dhe dorëza nëpër shitore dhe barnatore dhe gjatë takimeve me njerëz të mbajnë distancë prej 2 metra”, thuhet në njoftimin e komunës veriore të Mitrovicës.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë në Serbi gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe gjashtë raste të reja të infektuara me virusin vdekjeprurës COVID-19, duke e dërguar në 89 numrin e të prekurve me këtë sëmundje./GazetaSinjali/