Qeveria në detyrë sot në mbledhjen e radhes, miratoi propozimin nga Ministria e Shëndetësisë, që çerdhet të rihapen nga dita e nesërme. Por ky vendim po kundërshtohet nga Komunat pasi që nuk e kanë ende të qartë se çfarë rregulla duhet të ndjekin për menaxhimin e situatës.
Kanë reaguar gjashtë komuna deri më tani duke u bër apel prindërve që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre nesër në çerdhe pasi që ende nuk kanë informacionet zyrtare nga qeveria, raporton Gazeta Sinjali.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte i pari që reagoi duke theksuar se presin sqarime nga Minsitria e Arsimit dhe se deri atëhere prindërit duhet të presin.
Pas Pristhinës, deri më tani kanë reaguar edhe 5 Komuna të tjera, ajo e Shtimes, Obiliqit, Drenasit, Vushtrrisë dhe Gjakovës.
Këto Komuna përmes faqeve të tyre në Facebook, kanë reaguar duke e theksuar çështjen e mos-sqarimit nga qeveria.
Komuna e Vushtrrisë, ka njoftuar se kjo Komunë nuk i ka punët mirë me Covid-19, pasi që edhe 8 rastet e reja sot, ishin nga Vushtrria, prandaj kërkojnë sqarim më të detajuar nga qeveria për rregullat dhe funksionimin e çerdheve në kohë pandemie.
“Situata epidemiologjike në qytetin tonë po ashtu është jo e mirë. Prandaj ne bashkëpunim me Komunat tjera dhe me Asociacionin e Komunave, presim që Qeveria të qartësojë situaten dhe rregullat”, thuhet në reagimin e Komunës së Vushtrrisë.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka qenë më i ashpër me vendimin e qeverisë, duke e quajtur nonsens.
“Në komunën e Gjakovës nuk mund të hapen kopshtet nesër.
Vendimi i qeverisë i datës 31 Maj (e dielë) që kopshtet të hapen me datën 1 Qershor (e hënë) është nonsens”, ka shkruar Gjini.
Ndërkaq, MASHTI, në faqen e tyre zyrtare, ka lajmëruar që nesër, gjithsesi, do të fillojë puna e çerdheve.
Sipas njoftimit të MASHTI-t, institucionet parashkollore të cilat nuk janë të përgatitura sa u përket masave, hapjen e çerdheve dhe kopshteve mund ta bëjnë ditëve në vijim, pasi të jenë siguruar se kanë bërë përgatitjet e duhura./ Gazeta Sinjali/