Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot nëpërmjet një konference për media, ka prezantuar Raportin e Performancës Komunale.
Sipas Krasniqit, ky raport qëndron më mirë nëse krahasohet me vitet paraparake.
Raporti do të përcaktojë se cilat komuna do të përfitojnë grantin për performancë.
Siç bën të ditur Krasniqi, në këtë raport ishin pjesëmarrës të gjitha komunat, përpos komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të dhënat e ministrisë nuk janë autorizuar nga kryetari i Komunës.
Ndryshe, sipas Diellor Gashit, drejtor i Departamentit për Performancë dhe Tranparencë Komunale, ka treguar se komunat me shumicë serbe kanë përqindjen më të ulët të performancës, për shkak të keqpërdorimeve.
“Sa i përket rezultateve apo të arriturave, mesatarja e përgjithshme në ushtrimin e kompetencave vërehet në shkallën prej 57.06 %, është përqindje më e ulët se në vitin 2019. Komunat me shumicë serbe reflektojnë me përqindje të ulët të performancës për shkak të keqraportimit“, tha ai.
Kur bëhet fjalë për transparencën komunale, Gashi tha se komunat kanë shënuar përmirësim në krahasim me vitin paraprak.
“Në këtë fushë komunat kanë arritur 77.2% në total dhe 4.7% më shumë se vitin paraprak. Arsimi parauniversitar 67.81%. Infrastruktura rrugore në vlerë 52.30%, 86% e rrugëve janë të shtruara dhe 58% janë mirëmbajtur. Ajo çka duhet komunat të fokusohen është që duhet të punojnë në drejtim të transportit alternativ në ndërtimin e shtigjeve”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, edhe uji i pijshëm shënon rritje në krahasim me 2019. Të dhënat tregojnë se 75% janë të kyçur në ujësjellës.