image Komuna e Prishtinës: Problemi me qentë endacakë mbetet shqetësues

Kosovë

Komuna e Prishtinës: Problemi me qentë endacakë mbetet shqetësues

news image

Komuna e Prishtinës thotë se problemi me qentë endacakë mbetet shqetësues, këtu marrë parasysh edhe rrezikun e vazhdueshëm që iu kanoset qytetarëve çdo ditë.

Nëpërmjet komunikatës për media theksohet se çështja e qenve endacakë duhet të trajtohet në nivel kombëtar meqë komunat nuk kanë mundësi të përballen vetë me këtë sfidë.

“Problemi me qentë endacakë mbetet shqetësues për Komunën e Prishtinës, marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që iu kanoset qytetareve çdo ditë. Duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi. Çështja e qenve endacakë duhet të trajtohet dhe zgjidhet në nivel kombëtar dhe në gjithë territorin e Kosovës edhe pse me këtë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore e njerëzore, komunat nuk kanë mundësi që të përballen vetë me këtë sfidë”, thuhet në komunikatën për media.

Komuna e Prishtinës bën të ditur se për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë është duke punuar në disa drejtime.

“Duke bërë rehabilitimin e gjendjes së tanishme, Komuna e Prishtinës përmes operatorit ekonomik bën trajtimin e qenve në mënyrë humane, siç është e përcaktuar me ligjin në fuqi. Prandaj, qentë endacakë zihen në qytet, kontrollohen për sëmundje, vaksinohen apo trajtohen nëse sëmundja është e shërueshme, sterilizohen apo kastrohen në mënyrë që të mbahet nën kontroll shtimi i tyre, mbahen në kujdestari deri në 14 ditë në mënyrë që të socializohen dhe pastaj, veterineri jep urdhër për, lirimin apo eutanazimin nëse qeni është agresiv. Po ashtu është hartuar një plan operativ dhe është përpiluar harta e rrezikut duke e identifikuar vendndodhjen e qenve endacakë, vazhdimisht identifikohen dhe rrënohen shtëpitë e braktisura, si dhe vazhdimisht pastrohen deponitë ilegale në mënyrë që të parandalojmë grumbullimin e qeneve”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media nga komuna e Prishtinës. /Gazeta Sinjali/