Komuna e Prishtinës ka njoftuar shitësit që operojnë në hapësirat publike, në trotuare dhe rrugë, në afërsi të tregjeve në qendër të qytetit dhe në lagjen Ulpiana.
Nga kjo komunë kanë bërë thirrje, se këto hapësira duhet të lirohen prej datës 8 korrik deri më 24 korrik të këtij viti.
Në njoftim thuhet se pas datës 24 korrik, Drejtoria e Inspekcionit në Prishtinë do të fillojë aksionin edhe nën asistencën e Policisë së Kosovës për lirimin e këtyre hapësirave, rrugëve dhe trotuareve.
Hapësirat të cilat duhen liruar në afërsi të Tregut të Gjelbër në Qendër të qytetit janë:
– Rruga “Ilaz Agushi”
– Rruga “Ylfete Humolli”
– Rruga “Xhemail Prishtina”
Ndërsa, rrugët dhe trotuaret që duhet të lirohen në afërsi të tregut të gjelbër në Ulpianë janë:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
– Rruga “Imzotë Nikë Prela”
– Rruga “Zija Shemsiu”
Gjithashtu, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje që të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të këtyre dy tregjeve.
“Luten të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të këtyre dy tregjeve për shkak se pas datës së lartëcekur, në asnjë mënyrë nuk do të lejohen të operojnë jashtë ambienteve të këtyre dy tregjeve, saktësisht, askund në hapësira publike brenda kryeqytetit”, është thënë në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Është kërkuar mirëkuptim nga ana e shitësve, kjo sepse sipas tyre ky vendim do të ndihmojë sado pak në transformimin e Prishtinës.