Një ndër problemet më kryesore për qytetarët e kryeqytetit që vazhdojnë që të përballën, e sidomos në zonat ku ka më shumë qarkullim, janë zhurma e lokaleve të natës deri në orët e vona. Ndërkohë që Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se nga janari i vitit 2023, do nisë procesi për vendosjen e aparateve për matjen e zhurmave në lokalet e kryeqytetit.
Zhurmat e larta të muzikës në lokalet e kryeqytetit po vazhdon të shqetësojë banorët që jetojnë afër këtyre zonave, përcjell Sinjali.
Këtë gjendje pritet ta përmirësojë vendosja e matësve të zhurmës, e cila do të bëhet nga ana e Komunës së Prishtinës, projekt i cili pritet të fillojë nga janari i vitit 2023.
Drejtori për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se kontrata për vendosjen e këtyre matësve është gati.
“Operatori është përzgjedhur, pra kontrata është gati. Jemi në përfundim të rregullores. Po mendojmë të fillojmë prej janarit 2023 me vendosjen e matësve”, thotë Musliu.
Ndërkohë, drejtues të Komunës së Prishtinës, kanë bërë të ditur se rregulli për zhurmën mund të ndryshojë gjatë verës, teksa edhe për këtë thonë se ka mirëkuptim ndërmjet gastronomeve dhe banorëve.
Nga 15 korriku deri 15 gusht, zhurma e lokaleve mbase do të jetë pak më e madhe për shkak të verës dhe numrit të madh të vizitorëve. Mes tjerash, është bërë e ditur se gastronomet që s’i përmbahen rregullit të vendosur për ndalimin e zhurmës mund t’i merret edhe leja e punës.