image Komuna e Prishtinës hap Pallatin e Rinisë dhe 13 shtëpizat në Gërmi për pacientët me COVID-19

Shëndetësi

Komuna e Prishtinës hap Pallatin e Rinisë dhe 13 shtëpizat në Gërmi për pacientët me COVID-19

news image

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se kjo komunë është e gatshme të shndërrojë Pallatin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve “Adem Jashari” në një qendër për trajtimin e pacientëve me Covid-19 me afër 400 shtretër, nëse eskalon situata me koronavirus.

Madje, ai tha se edhe 13 shtëpiza në parkun e “Gërmisë” i kanë ofruar në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Nushi tha se në dy javët në vazhdim do të ketë rritje të rasteve me COVID-19, duke shtuar se një situatë e tillë do t’u krijojë probleme, por thekson se kjo komunë është e përgatitur në rast të përkeqësimit të situatës.

“Numri i cili po rritet dita ditës dhe kjo si arsye e fushatës elektorale të cilën e kemi pasur por edhe si arsyetim tjetër është mosrespektimi i masave nga ana e IKShPK-së.”

Mosrespektimi i masave nga ana e qytetarëve kjo për arsye se nuk po mbahen maskat, nuk po respektohet distanca sociale dhe po besojmë që në dy javët në vazhdim do të jetë me rritje të vazhdueshme të numrave”, tha ai.

“Kjo do të shkaktojë telashe dhe probleme në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi për arsye të pamundësisë së menaxhimit. Komuna e Prishtinës është e përgatitur edhe për eskalim të situatës, në kuptimin që i kemi 13 shtëpiza në parkun e Gërmisë dhe të cilat i kemi ofruar në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë, por e kemi të përgatitur edhe Pallatin e Kulturës “Adem Jashari”, i cili mund të rregullohet brenda kohës shumë të shkurtër për afër 400 shtretër”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Numri i infektimeve me virusin COVID-19, ka shënuar rritje në Kosovë. Nushi thotë se në rast eskalimit duhet të merret parasysh edhe mundësia e shndërrimit të hoteleve në qendra karantinimi.

Tutje, ai u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat parandaluese për përhapjen e koronavirusit.

“Prandaj jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe IKSHPK-në në rast të eskalimit të situatës që të merret parasysh edhe mundësia e angazhimit të hoteleve, të cilat deri më tash në shumicën e shteteve janë marrë si opsione të karantinimit të qytetarëve”, tha ai.

“Tashmë jemi në valën e tretë dhe lus qytetarët të respektojnë masat në mënyrë që të mos vijmë në situatë të mosmenaxhimit të situatës. Nëse eskalon nuk do të ketë më kapacitete as QKUK-ja, as komuna e Prishtinës që të menaxhon. Nëse vazhdojmë me këta numra atëherë mund të shkaktojë probleme të mëdha në infektimin e personelit shëndetësor. Po shpresoj që nuk do të kthehemi në LockDown”, përfundoi nënkryetari i Prishtinës./Gazeta Sinjali/