image Komuna e Prishtinës fillon furnizimin e shkollave me teste antigjene për COVID-19

Shëndetësi

Komuna e Prishtinës fillon furnizimin e shkollave me teste antigjene për COVID-19

news image

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e udhëhequr nga ai ka filluar furnizimin e shkollave me teste të shpejta antigjene, raporton Gazeta Sinjali.

Rama ka bërë të ditur se Komuna ka kontraktuar një ekip i cili do t’u japë menaxhmentit të shkollave informata të hollësisht për këto teste dhe do t’u ofrojë trajnim për përdorimin e tyre.

Numri një i kryeqytetit tha se testet antigjene janë shpërndarë në institucione parashkollore, shkolla fillore e të mesme në qytet dhe se shumë shpejt shpërndarja do të bëhet edhe në fshatrat e Prishtinës.

“Deri më tani testet antigjen janë shpërndarë nëpër tetë institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta, kryesisht me numër të madh të nxënësve në zonat urbane. Në ditët në vijim mbetet të përfshihen edhe zonat periferike të kryeqytetit”, shkroi ai në Facebook.

“Është planifikuar që testet të shërbejnë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë. Do të testohen vetëm nxënësit që kanë këto simptoma: Temperaturë mbi normale; Kollitje apo ethe; Kontakt me persona të infektuar. Ndarja e testeve është bërë në proporcion me numrin e nxënësve në institucione”, përfundoi ai./GazetaSinjali/