Komuna e Prishtinës ka dalë me një sqarim, pasi që u ngritën shqetësime se çezma e vjetër xhamisë në Prishtinë, është rrënuar.
Komuna ka thënë se zhvendosja e çezmës është e përkohshme, me pëlqim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në njoftimin e tyre thuhet se: “Të dashur qytetarë, duke ju falënderuar për vigjilencën, ju njoftojmë se zhvendosja e çezmës së xhamisë është e përkohshme. Projekti që është duke u implementuar ka pëlqim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – IKMM, e cila është kompetente për dhënien e pëlqimeve për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore si dhe për përcjelljen e punimeve në to”.
Komuna e Prishtinës thekson se është e përkushtuar që të ofrojë ekspertizën e vet si partner me këdo që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore si e mirë e përbashkët.