Higjiena duket të ketë preukopuar shumë zyrtarët komunalë të Gjakovës. Në mars të këtij viti, kjo komunë ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 49 mijë e 140 euro, për të marrë me qira paisje me sensor, për dezinfektimin e duarve me dezinfektant.
Por, komuna thotë se një tender i tillë, ishte i nevojshëm në luftën kundër koronavirusit.
Madje, ata kanë trefuar edhe se ku u përdorën paisjet e marra me qira.
Tender i “nevojshëm”
Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka marrë me qira 91 aparatë për dezinfektimin e duarve me sensor nga kompania Alb Consulting.
Aparatët modern, komuna do t’i ketë në dispozicion për vetëm 12 muaj, aq sa vlen edhe kontrata, e cila e kap shifrën rreth 50 mijë euro.
Sipas komunës së Gjakovës, këto paisje janë marrë pasi që nevoja ishte e lidhur me virusin korona.
Por, të njejtit nuk kanë treguar edhe arsyen se pse janë marrë me qira, në këtë shumë.
“Këto paisje janë marrur me qera shërbim për arsye të dezinfektimit të duarve të punëtorëve administrativ dhe nxënësve nëpër të gjitha objektet shkollore dhe QKMF.Nevoja ka qenë për arsye siç dihet për virusin Covid-19 dhe nëse nuk jam gabim me duket njësia kërkesës ka pas edhe një udhëzim nga Ministria e Arsimit për mbrojtje nga covid-19”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Prokurimit.
Këto aparate, përveç në komuna janë vendosur edhe në shkolla dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare.
“Me qera janë marrur 91 aparate ku bëjnë pjesë gjitha objektet shkollore dhe QKMF.Janë të vendosura nëpër të gjitha objektet shkollore dhe ne QKMF”, thonë nga zyra e Prokurimit në këtë komunë.
Kompania e cila e ka fituar këtë tender nga komuna e Gjakovës, Alb Consulting tregon për gazetën se në këtë çmim është i përfshirë: furnizimi me dezinfektues pa limit, mirëmbajtja e paisjes me senzorë, bateritë dhe gjithçka tjetër.
“Në këtë çmim është i përfshirë furnizimi me dezinfektues pa limit, mirëmbajtjen e paisjes me senzorë, bateritë dhe gjithçka tjetër”, tha pronari i kësaj kompanie, Valon Haxhishabani.
Haxhishabani thotë se çmimi i një aparati për t’u marrë me qira është 45 euro për një muaj.
“Një paisje çmimin e ka 45 euro. Janë 91 paisje të cilat komuna do t’i përdorë për 12 muaj aq sa është kontrata”, tha ai.
Kjo komunë buxhetin komunal të vitit 2022 e ka mbi 27 milionë euro.
Komuna e Gjakovës udhëhiqet nga Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është një ndër figurat qëndrore të partisë së Ramush Haradinajt.
Gjini në zgjedhjet e vitit të kaluar, të tetorit fitoi përsëri votat e qytetarëve të këtij qyteti edhe për një mandat të dytë.
Ai në zgjedhjet e 14 nëntorit, arriti të fitojë me 55.97 për qind të votave të përgjithshme.
Gjini ishte në balotazh me kundër kandidaten e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e cila arriti t’i marrë vetëm 44.03 për qind. /GazetaNacionale/