Komuna e Ferizajt i ka falenderuar publikisht përmes Facebook-ut doktoreshën Arta Lekiqi dhe infermierët Kreshnik Syla e Arbër Jashari.
Lekiqi, Syla e Jashari i vizitojnë në shtëpi të infektuarit me COVID-19, ndërsa sipas komunës, ata deri tani kanë kryer qindra kontrolle mjekësore dhe pafund orë përkujdesjeje, shkruan Gazeta Sinjali.
“Dhjetëra kilometra anekënd Ferizajt, me rrezikun në çdo hap, me zhurmën e autoambulancës që hap rrugën për të arritur sa më shpejt tek pacientët, janë ky ekipi i vizitave shtëpiake i përbërë nga doktoresha shembullore, Arta Lekiqi dhe infermierët e guximshëm e të palodhur, Kreshnik Syla e Arbër Jashari të cilët si ekip i vizitave shtëpiake për të infektuarit me COVID-19, deri më tani kanë kryer qindra kontrolle shëndetësore për të infektuarit dhe familjarët e tyre, mbikqyrur dhënien e terapive e ofruan pafund orë përkujdesi ndaj rasteve të dyshuara me virus”, thuhet në postimin e komunës.
“Shembujt e tillë na bëjnë krenar për këtë gjeneratë mjekësh e infermierësh që pakursyer po mbrojnë e kujdesen për shëndetin e qytetarëve”. /Gazeta Sinjali