Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e ka shtyrë afatin e pagesave deri më 30 prill.
Kjo është bërë e ditur nga vetë komapnia përmes një njoftimi për media, transmeton Gazeta Sinjali.
“KRU ”Prishtina” sh.a. bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shtyen të gjitha pagesat për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit deri më datë 30 prill 2020, konsumatorët të cilët dëshirojnë të bëjnë pagesa për shërbimet( për muajt paraprak) ato mund t’i bëjnë online, përmes bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Më tej, kompania bën të ditur se me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit gjithashtu e ka reduktuar stafin në të gjitha sektorët.
Komunikata e plotë e KRU “Prishtina”:
“Sot në orën 08:00, 16 mars 2020, e hënë UD i kryeshefit ekzekutiv Kapllan Parduzi me stafin menaxhues të ndërmarrjes, përgjatë takimit të mbajtur në zyret e ujësjellësit, duke iu referuar vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës mori një sërë masash që ndërlidhen me gjendjen emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës kunder përhapjes së koronavirusit.
-KRU ”Prishtina” sh.a. bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shtyen të gjitha pagesat për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit deri më datë 30 prill 2020, konsumatorët të cilët dëshirojnë të bëjnë pagesa për shërbimet( për muajt paraprak) ato mund t’i bëjnë online, përmes bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare,
-KRU ”Prishtina” sh.a. ka marrë masa në reduktimin e stafit në të gjitha departamentet/sektoret, përveq aty ku duhet të ketë shërbim karshi konsumatorëve, me theks të veqantë departamenti i prodhimit të ujit dhe furnizimit 24 h me ujë të pijshëm dhe cilësorë,
-KRU ”Prishtina” sh.a. prioritet në çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë i jep të gjitha qendrave spitalore, pa anashkaluar konsumatorët e tjerë të ndërmarrjes,por për shkak të rritjes së konsumit të ujit kërkohet shpenzim racional që të kemi rezerva të mjaftueshme ujore,
-KRU”Prishtina” sh.a. merr masa për sigurimin e klorit dhe kemikateve të tjera edhe për tre muajt e ardhshëm,në funksionim të mirëfilltë të trajtimit të ujit,
-KRU”Prishtina” sh.a. merr masa për sigurimin e mjeteve dhe pajisjeve themelore të punës,
-KRU”Prishtina” sh.a. merr masa për caktimin e menjëhershëm të ekipeve mobile me fokus prodhimin ,mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit,
-KRU” Prishtina” sh.a. merr masa që në secilën komunë në zonën e shërbimit të jenë nga dy ekipe mobile të cilat do jenë në shërbim të qytetarëve, furnizim me ujë që është esenciale dhe sanim të të gjitha defekteve që mund të shfaqen në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit,
-KRU” Prishtina” sh.a. do të monitorojë 24 h pa ndërprerë cilësinë e ujit të pijshëm, funksionimin e rezervuarëve, stacioneve të pompave, pendat e liqenit të Batllavës dhe Badocit si dhe fabrikat e trajtimit të ujit, Shkabaj, Albanik dhe Badoc,
-Reduktohet stafi në departamentin e adminsitratës dhe zyrës ligjore, vetëm për çështje që konsiderohen të arsyeshme dhe gjithsesi organizative,
-Masat e mara vlejnë për të gjitha njësitë operative të ko munave, Prishtinë, Podujevë, Drenas, Graçanicë, Shtime, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Obiliq,
-Në gjendje gatishmërie do të jenë cisternat e ujit të pijshëm ( autobot) dhe ato të ujërave të zeza,
-KRU”Prishtina” sh.a. del me rekomandim që nuk do të rrezikohet në asnjë moment stabiliteti i ndërmarrjes dhe do të jemi në shërbim të konsumatorëve 24 orë,
-Për çdo masë shtesë që mund të ndërmerret bazuar në vendimet e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do njoftoheni me kohë.“
Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar se 13 persona janë infektuar me koronavirus./Gazeta Sinjali/