image Kompania e linjës Prishtinë – Lipjan shtrenjton çmimin e biletave për 20 cent

Kosovë

Shpenzime/ Kompania e linjës Prishtinë – Lipjan shtrenjton çmimin e biletave për 20 cent

news image

Një kompani private e linjës së autobusëve Prishtinë – Lipjan ka filluar me shtrenjtimin e çmimit të biletave për shkak të ngritës së çmimit të sigurimeve të automjeteve, raporton Gazeta Sinjali.

Kompania “Lipjani Sh.p.k”  ka shtrenjtuar çmimin e biletave për 20 cent në linjën Prishtinë-Lipjan edhe pse të gjitha kompanitë e tjera operojnë me çmim të njëjtë prej 0.50 euro.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtuesin e kësaj kompanie, i cili ka thënë se shtrenjtimi i biletës për 20 cent ka ndodhur për shkak të rritjes së sigurimit dhe kanë punuar me humbje.

“E kemi pas edhe më herët, por e kemi liruar, e kemi shtrenjtua përsëri, ne nuk kemi pas marrëveshje me askënd, për atë arsye e kemi liruar deri sa me u prish kjo marrëveshje, tregu është i lirë. Shtrenjtimin e kemi bërë për arsye se është rritë sigurimi, nuk po mundemi me ja dal, e kemi rrit numrin e punëtorëve, ndryshe veç me punu me humbje edhe për këtë arsye u shtrenjtu bileta për 20 cent. Nuk është shumë për atë edhe e kemi bë. Kohëve të fundit nuk po mundemi me ja dal. Ose me falimentu ose me e shtrenjtu”, ka thënë pronari i kësaj kompanie për Gazetën Sinjali.

Ai ka aluduar se vetëm kompania e tij lëshon kuponë fiskal për udhëtarët, ndërsa operatorët e tjerë nuk lëshojnë kuponë për udhëtarët.

“Veç ne kemi kupon fiskal të tjerët nuk kanë kupon fiskal , ne jemi firmë pak ma korrekte për këtë arsye i kemi rrit çmimet”, ka thënë ai.

Ndryshe ka deklaruar drejtuesi i “Gimica Travel”, i cili ka thënë se nuk ka arsye për ta shtrenjtuar biletën dhe se rritja e çmimit për 20 cent ka ndodhur për interesa personale nga operatori “Lipjani Sh.p.k”.

“Lipjan –Prishtinë, 50 cent, veç një operator e ka bërë 70 cent. Ai e ka shtrenjtuar për interesa të veta. Ai ka pak më shumë linja për këtë arsye”, ka thënë pronari i “Gimica Travel”.

Ai ka mohuar se nuk lëshojnë kuptona fiskal për udhëtarët në linjën Lipjan-Prishtinë.

“Ne lëshojmë kuponë fiskal, ne jemi kompani serioze, unë nuk e shtrenjtoj çmimin”, ka thënë ai.

Një udhëtarë i rregullt i kësaj linje ka thënë për Gazetën Sinjali se vetëm një kompani lëshon kuponë fiskal, ndërsa të tjerat shumë rrallë.

“Jo, vetëm njëra është me serioze dhe lëshon kupon fiskal të tjerat jo, shumë rrallë, kurrë unë s’kam marrë kupon prej tyre”, ka thënë një udhëtarë i relacionit Prishtinë-Lipjan.

Kujtojmë se në fundin e vitit të kaluar Banka Qendrore e Kosovës (BQK), kishte marr një vendim për shtrenjtimin e sigurimeve të automjeteve. Përkundër protestave BQK-ja nuk është zmbrapsur nga vendimi i saj për shtrenjtimin e sigurimit të veturave.

Në Prishtinë kishte pasur disa protesta për mos-shtrenjtimin e sigurimit të veturave. Megjithatë, BQK kishte konsideruar se kjo ngritje po bëhet që të krijohen kushte më të mira për sigurimin e automjeteve. /Gazeta Sinjali/