image Qeveria Kurti shmang procedurat e hapura të prokurimit, angazhon avokatë fshehurazi

Politikë

Qeveria Kurti shmang procedurat e hapura të prokurimit, angazhon avokatë fshehurazi

news image

Pasi kompania amerikane “Contour Global” vendosi ta shkëpusë marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës për projektin e termocentralit “Kosova e Re”, kjo e fundit e ka angazhuar një firmë avokatie për këtë çështje që pritet të zgjidhet në arbitrazh ndërkombëtar, duke i shmangur procedurat e hapura të prokurimit.

Për detajet e këtij angazhimi qytetarët nuk dinë gjë, pasi Qeveria Kurti ka vendosur që këtë proces prokurimi ta bëjë në fshehtësi, duke mos e publikuar njoftimin për kontratë, raporton Gazeta Sinjali.

Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike “Energjia nga Linjiti, i emëruar nga qeveria në detyrë, ka marrë vendim që ta angazhojë firmën e avokatisë “DLA Piper” në këtë mënyrë jopublike, për ta mbrojtur Kosovën karshi kompanisë amerikane ne lidhje me projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Kompania “Contour Global” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës mbi 20 milionë euro kompensim për shpenzimet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

Përmes një letre dërguar Minsitrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINS), ata kishin njoftuar se synojnë shkëputjen e marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës. 

Ndërkaq në vendimin e sotëm qeverisë në detyrë renditen disa nga shkeljet e pretenduara nga Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari që thuhet se i ka bërë “Contour Global”.

Në vendim thuhet se më 12 mars, ministrja Hajdari e ka njoftuar kompaninë “Contour Global” se kërkon diskutime të mëtejme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin, por që ka hasur në papërgjegjësi.

Sipas qeverisë, kompania “Contour Global” kishte njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti “Kosova e Re” duke hedhur poshtë detyrimet kontraktore, duke fajësuar pa bazë qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike në dëm të Kosovës. /Gazeta Sinjali/