image Komisioni i Venecias: Ndryshimet e reja në Projektligjin për KPK-në nuk i cenojnë standardet ndërkombëtare

Drejtësi

Komisioni i Venecias: Ndryshimet e reja në Projektligjin për KPK-në nuk i cenojnë standardet ndërkombëtare

news image

Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin e ri lidhur me Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar pozitivisht ndryshimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë.

Ky opinion (i dytë) vjen pas kërkesës që kishte parashtruar Ministria e Drejtësisë së Kosovës ndaj Komisionit të Venecias, më 25 shkurt 2022, për të vlerësuar nëse rishikimet e bëra të plotësim-ndryshimeve janë në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias në opinionin e parë të muajit dhjetor 2021.

Sipas opinionit të ri të Komisionit të Venecias, rishikimet e reja në Projektligj nuk cenojnë standardet ndërkombëtare. Opinioni i ri, duke qenë se ishte kërkuar urgjent nga Ministria e Drejtësisë, nuk adreson të gjitha çështjet e versionit të mëparshëm të Projektligjit, por vetëm çështjet që kanë të bëjnë me dizajnin e ri institucional të KPK-së dhe dispozitat kalimtare.

Kështu, sipas Komisionit të Venecias, përbërja e re shtatë anëtarëshe e Këshillit Prokurorial nuk cenon standardet ndërkombëtare. Në këtë përbërje të re, tre anëtarë do të jenë prokurorë, tre joprokurorë (njëri i emëruar nga Avokati i Popullit dhe dy nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash), si dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare. Sidoqoftë, Komisioni i jep disa rekomandime se si të pamundësohet dominimi i Kryeprokurorit të Shtetit në Këshillin e ri, raporton Betimi për Drejtësi.

Komisioni i Venecias e ka konsideruar të dobishme faktin që për çështje të caktuara si ato disiplinore, për vendimmarrje nevojitet shumicë e kualifikuar votash prej pesë anëtarëve, ku dy nga to duhet të jenë vota të anëtarëve joprokurorë të Këshillit. Sidoqoftë, megjithëse është pozitive që një përcaktim i tillë nuk i mundëson anëtarëve prokurorë të Këshillit që të qeverisin vetëm, në të njëjtën kohë, ky mekanizëm i votimit paraqet rrezik për bllokim të vendimmarrjes së Këshillit po qe se anëtarët joprokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi kanë qëndrim të njëjtë për një çështje të caktuar, përfshirë edhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Prandaj, Komisioni i Venecias i rekomandon Kuvendit që, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë dhe akterët relevantë, të krijojë mekanizma kundër-bllokues, në rastet kur nuk mund të arrihet vendimmarrja e duhur në Këshill.

Sa i përket mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të Këshillit, Komisioni i Venecias vlerëson që ndryshimet e reja kanë ndjekur rekomandimet e dhëna në opinionin e parë. Megjithatë, Komisioni parashtron disa vërejtje lidhur me mënyrën e votimit. Konkluzion të njëjtë, se ndryshimet e reja janë në pajtueshmëri me opinionin paraprak, Komisioni jep edhe për mënyrën e re të zgjedhjes së anëtarëve joprokurorë të Këshillit, me vërejtjen që të largohet kriteri i “vizionit” nga vlerësimi i Komisionit të Kuvendit, pastaj që procesi i përzgjedhjes të jetë edhe më objektiv, si dhe të mos kufizohet numri i propozimeve ndaj Kuvendit në vetëm dy kandidatë.

Komisioni gjithashtu e konsideron tejet pozitive faktin që ideja e funksionimit të Këshillit me përbërje të reduktuar, që ishte vërejtje e madhe në opinionin paraprak, është braktisur. Ndërkaq e konsideron të pranueshëm faktin që jo të gjithë anëtarët e Këshillit do të humbasin mandatin e tyre para kohe, ku disa prej tyre, të caktuar me short, do të mbesin në pozitë.

Projektligji i ri, për të cilin ka lëshuar opinion tani Komisioni i Venecias, veçse është miratuar rreth dy javë më parë në Qeveri.

Ndërsa, ky miratim u kundërshtua nga Këshilli Prokurorial, duke e cilësuar si tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit.

“Ky nxitim i Ministrisë së Drejtësisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias, si dhe pa i marrë parasysh edhe propozimet e dala nga Strategjia për sundimin e ligjit dhe ato të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokororial dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese”, thuhej në komunikatën e KPK-së.

/GazetaSinjali/