image MASHTI tregon risinë që e ka testi i arritshmërisë sivjet - Sinjali

MASHTI tregon risinë që e ka testi i arritshmërisë sivjet

news image

Testi i cili do të jetë përcaktues në përzgjedhjen e drejtimeve në shkollimin e mesëm sivjet do të organizohet në dy ditë.

Testi i parë i arritshmërisë mbahet më 4 qershor, ndërsa i dyti më 14 qershor. Kështu ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Iliriana Pylla.

Sipas zyrtares për informim, ky ndryshim i organizimit të testit në dy ditë është bërë për një arsye.

“Qëllimi i këtij ndryshimi është që të mund të fokusohemi pak më shumë në vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve nga të gjitha lëndët relevante dhe jo të shkojmë me një numër të vogël pyetjesh”, ka thënë Pylla.

MASHTI ka njoftuar se në ditën e parë (4 qershor) do të jetë testi nga Gjuha Shqipe, Angleze, Historia dhe Gjeografia, ndërkaq në ditën e dytë (14 qershor), do të jetë testi nga Matematika, Fizika, Informatika, Kimia dhe Biologjia.

Pylla ka njoftuar të gjithë nxënësit në ditën e testimit duhet të marrin me vete laps, meqë siç thotë ajo përgjigjet do të lexohen në mënyrë automatike nga lexuesi optik.

Në të kaluarën, testi ka ndodhur të shpërndahet edhe nëpër rrjetet e ndryshme sociale në internet. Lidhur me këtë MASHTI ka treguar se çfarë do të ndërmerr që të eliminojë parregullsitë e vazhdueshme që kanë përcjellë këtë projekt.

“Nxënësit e kanë të ndaluar të marrin me vete telefon, apo çka do qoftë që mund të përdoret për komunikim, qasje në internet, fotografim, kopjim, shpërndarje apo për ndihmë tjetër gjatë mbajtjes së Testit. Kushdo që merr me vete pajisje apo mjete të tilla nuk do të lejohet të futet në Qendrën e Testimit”, ka thënë Pylla për rtv21.

Njohuritë e nxënësve kosovarë sivjet do t’i nënshtrohen edhe njëherë testit ndërkombëtar PISA. 7 mijë nxënës, nga 15 vjeç, të përzgjedhur nga 237 shkolla të Kosovës, do të testohen në ditë të caktuara nga 25 prilli deri më 20 maj.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin