image Komisionet parlamentare do të dominohen nga Lëvizja Vetëvendosje

Politikë

Komisionet parlamentare do të dominohen nga Lëvizja Vetëvendosje

news image

Kuvendi i Kosovës do ta ketë shpejt në rend dite çështjen e komisioneve parlamentare dhe Lëvizja Vetëvendosje me Grupin parlamentar të komuniteteve joserbe do t’i dominojnë ato.

Kuvendi i ka 4 komisione të përhershme dhe një numër shumë më të madh të komisioneve funksionale. Secili nga to do të përbëhet prej 11 anëtarësh.

Legjislatura e tetë ka 6 grupe parlamentare, dhe 4 nga to do të jenë në opozitë.

Duke qenë kështu, një pjesë e opozitës ka shprehur synimin për të imponuar formulë të tillë përfaqësimi në komisione, për t’i lënë në to pakicë deputetët e partive të pushtetit.

Një mësymje të këtillë nuk do ta lejojë Vetëvendosje, në të cilën parti thonë se ajo do t’i ketë nga 5 anëtarë në secilin Komision dhe një tjetër duhet t’i takojë Grupit parlamentar të pakicave joserbe, i cili e mbështet Qeverinë.

Vlerësimi për ndarje të komisioneve sipas grupeve parlamentare nuk është i drejtë pasi nuk është kriter numri i Grupeve Parlamentare, por forca politike e grupeve parlamentare. Udhëheqja e komisioneve parlamentare ndahet në bazë të fuqisë parlamentare, që përcaktohet nga rezultati në zgjedhje. Si rrjedhojë, LVV-ja edhe do të ketë më shumë komisione që udhëheq, por edhe anëtarë më shumë në secilin komision”, ka thënë deputetja Mimoza Kusari-Lila.

Në Kuvend të enjten kanë refuzuar të ofrojnë informacione mbi përfaqësimin e grupeve parlamentare në këta trupa legjislativë, shkruan Koha.

E në shoqërinë civile kanë mbështetur interpretimin e partisë fituese, që lidhet me përfaqësimin në Kuvend.

“Lëvizja Vetëvendosje do të ketë në pothuajse të gjitha komisionet shumicën e nevojshme duke pasur deri në gjashtë anëtarë në secilin komision, në rast se numri i anëtarëve vijon të mbetet 11 siç është praktikë deri më tani”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim”.

Cakolli tregon edhe se kush sa komisione do t’i drejtojë.

Lëvizja Vetëvendosje i bie se do të kryesojë të paktën 7 komisione parlamentare, me LDK-në dhe PDK-në që do të kryesojnë me nga dy komisione parlamentare, ndërsa AAK, Lista Serbe dhe grupi parlamentar 6+ do ta kryesojnë nga një komision secila”, ka shpjeguar ai.

Kuvendi në një nga seancat e para i emëron anëtarët e komisioneve në bazë të propozimit të Kryesisë. E, në Kryesi përfaqësimi pushtet-opozitë është 3 me 3. Vendimmarrja nuk mund të bllokohet në këtë trupë, meqë kur numri i votave për është baras me atë kundër, vota e kryeparlamentarit është përcaktuese./Gazeta Sinjali/