Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarët policorë rrezikohen të dënohen me burgim.
Ndonëse, dje u kthyen në vendet e tyre të punës pasi iu revokua masa e suspendimit një mujor, ndaj komandatit Gjokaj dhe pesë vartësve të tij, rëndon një kallëzim penal.
Gazeta Sinjali ka mësuar se ky kallëzim është dorëzuar të martën në Prokurori lidhur me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, ndërsa ndaj përgjegjësit në qendrën e ndalimit rëndon akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Nëse vërtetohet fajësia ndaj tyre, zyrtaret policorë jo vetëm që do ta humbasin postin e tyre në Polici, por poashtu rrezikojnë te marrin edhe dënim me burgim, bëjnë me dije burime nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, të cilat kanë ekzaminuar videoincizimet, kanë pasur qasje në provat e grumbulluara dhe në kallëzimin penal.
Sipas Kodit Penal, përkatësisht nenit 198 i cili sanksionon keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, parashihet se “personi zyrtar, i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij e keqtrajton, frikëson ose fyen rëndë dinjitetin e personit tjetër, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet.”
Ndërsa për përgjegjësin e qendrës së ndalimit mbi të cilin rëndon akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kodi penal, përkatësisht neni 422 parasheh që “Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
Komandanti i policisë në Gjakovë Kristë Gjokaj, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj dhe policët Milot Ukaj, Agron Idizaj dhe Shaban Limani, dyshohen se duke qenë në detyrë zyrtare kishin përdorur dhunë në stacionin policor ndaj një qytetari me duar të lidhura.
Sinjali merr vesh nga burimet se janë së paku tri video incizime të arkivuara në Prokurori, Polici dhe në Ispektoratin Policor, që dëshmojnë dhunën brutale të ushtruar nga zyrtarët policorë ndaj personit të privuar nga liria.
Burime të Gazëtës Sinjali bëjnë me dije se ndikimi i jashtëm për të ndikuar rreth hetimit të kësaj çështje është enorm dhe është shtuar sidomos kohëve të fundit në kohë fushate. Madje, pre e këtij presioni ka rënë edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës e cila nuk e kanë marr përgjegjësinë për trajtimin e lëndës.
Sipas këtyre burimeve, Prokuroria Themelore tashmë ka parashtruar kërkesë në Prokurorinë e Apelit që kjo çështje të transferohet për hetim të mëtejmë në një nga prokuroritë tjera të Kosovës.
Se a do të jenë edhe policët e barabartë para ligjit dhe se a do arrijë Policia e Kosovës ta luftojë krimin edhe kur janë në pyetje zyrtarët e saj, mbetet të shihet në të ardhmen./ Gazeta Sinjali/