Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë mobilizuar pas vërshimeve të mëdha në gjithë Kosovën si pasojë e reshjeve gjatë ditëve të fundit, shkruan Gazeta Sinjali.
Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama tha për Gazetën Sinjali se ushtarët e kësaj force gjatë tërë natës kanë qenë në terren duke iu ndihmuar qytetarëve.
Rama tha se janë të gatshëm dhe të përgatitur për çfarëdo situate, derisa ka treguar se cilat komuna janë më të prekurat nga vërshimet.
“Jemi të angazhuar në komunën e Drenasit, Klinës, Fushë-Kosovës. Ekipet e FSK-së kanë qenë të angazhuara gjatë tërë natës, por ka edhe shumë vende tjera që duhet me intervenu”, tha Rama.
Kreu i FSK-së, ka thënë gjithashtu për Sinjalin se janë të përgatitur edhe nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.
Sipas Ramës, ushtarët për momentin janë duke intervenuar te një familje në Drenas e cila ka mbetur e ngujuar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.
“Ne jemi të gatshëm për çfarëdo situate. Tash një ekip është në Drenas duke e ndihmuar një familje tri anëtarëshe e cila ka mbetur e ngujuar si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe jemi duke e evakuuar”, përfundoi Rama.