Ish-komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, Kristë Gjoka dhe kapiteni Bekim Preqi, janë transferuar sot në Policinë Kufitare.
Këtë për Gazetën Sinjali, e ka konfirmuar Drejtori Rajonal në Policinë e Gjakovës, Lumni Graishta.
“Sot gjatë ditës e kemi pranuar vendimin prej Drejtorisë së Përgjithshme për transferimin e Kristë Gjokës dhe Bekim Preqit në Drejtorinë e Policisë Kufitare. Që nga sot, janë personel i Policisë Kufitare”, ka thënë Graishta.
Më tej, ai ka treguar se ende nuk është vendosur se kush do të emërohet në pozitën e komandantit në këtë stacion.
“Nuk kemi pranuar ende vendim, po presim për nesër. Ne i kemi bërë disa propozime, por mbetet në kompetencë të Drejtorisë së Përgjithshme me caktu”, ka thënë Graishta.
Gazeta Sinjali në tetor të vitit 2019, kishte publikuar një video ekskluzive ku shfaqej tortura çnjerëzore, të cilën dyshohet se e kishin ushtruar gjashtë zyrtarë policorë ndaj një qytetari në Gjakovë. Në mesin e të dyshuarve policor ishin edhe Kristë Gjoka e Bekim Preqi.
Në atë kohë, Inspektorati Policor i Kosovës kishte vendosur që gjashtë zyrtarët policorë t’i suspendonte nga puna. Të njëjtit me vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ishin suspenduar për një muaj, por që ishin kthyer sërish në pozitat njëjta./Gazeta Sinjali/