Zyrtari i PDK-së, Gani Koci, e konsideron gënjeshtër arseytimin e anëtarit të Kryesisë së LVV-së, Xhelal Sveçlës për takimin me kryetarin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriqin.
Koci, përmes Facebook-ut ka thënë se Sveçla po gënjen, pasi që sipas tij, në të tilla ngjarje, organizatorët kujdesen gjithmonë që përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë të mos i ulin në një tavolinë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Të gjithëve që kemi qenë në institucione, na ka rënë të jemi edhe me përfaqësues serbë, por organizatorët kanë qenë aq të kujdesëm që të mos na ulin afër me ta! Këtë kujdes kanë treguar edhe për drekat apo darkat e organizuara edhe nëse ka qenë një tavolinë e madhe apo e vogël!
Ka qenë zgjedhje e jona nese kemi dashur te komunikojmë me ta apo te ulemi edhe per kafe në një tavolinë!
Prandaj mos gënje Xhelal!”, ka shkruar Koci në Facebook.
Zveçla mbrëmë u pa i ulur në një tryezë me Gjuriqin, gjatë konferencës për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Tiranë.
Për këtë, mbrëmë reagoi edhe vetë Sveçla.
“Une sot jam pjesëmarrës në një konferencë për Bashkepunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku jane ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, fotoja në të cilën shihen ai dhe Gjuriqi në një tavolinë është bërë dhe shpërndarë me qëllim të keq. /Gazeta Sinjali/