Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut kërkoi që të mos politizohet kthimi i Dragica Gashiqit në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
KMDLNj ka thënë se përkrah të drejtën për kthim të të gjithë personave të zhvendosur, pa bërë asnjë dallim në baza etnike, bindjeve politike apo statusit në shoqëri, si e drejtë elementare e njeriut e cila nuk mund të kushtëzohet me asgjë.
Sipas këtij Këshilli, procesi i kthimit nuk mund të pengohet apo të kushtëzohet me asgjë.
“Procesi i kthimit nuk mund të pengohet apo të kushtëzohet me asgjë. Në këtë kontekst, qëndrimi i KMDLNj–së është i qartë dhe në procesin e kthimit nuk e bënë asnjë përjashtim”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.
Për shpërnguljen e shqiptarëve dhe të serbëve KMDLNJ ka shkruar se askush nuk reagoi apo mbrojti të drejtën e kthimin në pronat e tyre.
Madje, në njoftim tutje thuhet se “Për më keq, përveç Serbisë që ishte shumë e angazhuar për pengimin e kthimit të shqiptarëve dhe jo serbëve në pronat e tyre të ligjshme, edhe bashkësia ndërkombëtare, me një sjellje oportuniste dhe duke zbatuar standarde të dyfishta, pengoi kthimin e shqiptarëve dhe jo serbëve në pjesën veriore të Kosovës në ndërkohë që qeveria e Serbisë, duke ndërtuar objekte banesore dhe shtëpi individuale në Mitrovicën e Veriut e ka ndërruar strukturën etnike dhe ka krijuar një situatë të re duke e kolonizuar këtë pjesë të Kosovës me serbë që asnjëherë nuk kanë banuar në atë pjesë të Kosovës.”
Në njoftim thuhet se si partner shumëvjeçar i UNHCR-së, KMDLNJ ka qenë i angazhuar në procesin e kthimit të personave të zhvendosur, duke vizituar lokacionet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut ku kanë jetuar personat e zhvendosur.
“Janë organizuar vizita ‘shko dhe vizito’ dhe ‘shko dhe informo’ në përpjekje të sigurohen takime të personave të zhvendosur me autoritet komunale ku ishte paraparë kthimi sikur edhe me palën pranuese, banorët lokalë e që në të shumtën e rasteve ishin shqiptarë. Këto takime kanë siguruar një kthim të qëndrueshëm që është edhe qëllimi i kthimit. Në raste kur pala pranuese ka kundërshtuar kthimin, ai kthim nuk ishte realizuar”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu brenda njoftimit përmendet se rasti i njëjtë është edhe në Gjakovë ku pala pranuese e kundërshton kthimin, kurse Dragica Gashiq, në këto kushte dhe në këto rrethana as që ka mundësi të integrohet. Insistimi që me çdo kusht të ndodhë ky kthim, përkundër kundërshtimit të palës pranuese dhe politizimi i skajshëm sikur edhe manipulimi i Serbisë, tregon qartë se kthimi po përdoret vetëm si pretekst, kurse konteksti ka një qëllim krejtësisht tjetër.
Sipas KMDLNJ-së nuk janë dy standarde në procesin e kthimit; t’i lejohet Dragica Gashiqit të kthehet në Gjakovë, e drejta e patjetërsueshme dhe në të njëjtën kohë të pengohen dhjetëra mijëra shqiptarë dhe joserbë të kthehen në pronat e ligjshme të tyre në pjesën veriore të Kosovës.
KMDLNJ thotë se ndërkombëtarët duhet të punojnë dhe veprojnë sipas universalitetit të të drejtave të njeriut, e jo në bazë të oportunitetit politik.
Në njoftim gjithashtu është cekur se “Pala kosovare duhet ta ketë parasysh këtë fakt edhe gjatë bisedimeve me Serbinë duke njohur dhe mbrojtur të drejtën për kthim të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa bërë dallime në baza etnike, kulturore, moshës, statusit ekonomik, bindjeve politike apo të tjera. Vetëm në këtë kontekst mund të trajtohet procesi i kthimit e jo që të këmbëngulet në kthimin e Dragica Gashiqit kurse të mos lejohet kthimi i shqiptarëve dhe joserbëve në pronat e tyre”.
Sipas KMDLNJ-së, çdo trajtim ndryshe apo zbatim i standardeve të dyfishta, paraqet shkelje të të drejtave të njeriut e që për qëllim e kanë politizimin e procesit të kthimit e që ky kthim të mos ndodhë.
“Nëse kthimi nuk është i qëndrueshëm dhe nëse të kthyerit nuk kanë mundësi të integrohen në shoqëri, zhvendosja e re do të jetë e pashmangshme”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/