image KMDLNJ kundërshton që Albin Kurtit dhe të tjerëve t'u ndalohet kandidimi për deputetë

Kosovë

KMDLNJ kundërshton që Albin Kurtit dhe të tjerëve t’u ndalohet kandidimi për deputetë

news image

Këshilli për Mbrojten e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, ka komentuar situatën e fundit politike në vend, përcjellë Gazeta Sinjali.

Në një komunikatë për media, KMDLNJ, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një situatë gjysmëkaotike në vend dhe se është puro politik.

Përmes komunikatës, ky Këshill ka kundërshtuar ndalimin e mundshëm të Albin Kurtit dhe të tjerëve për kandidim në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila, pa një mandat kushtetues urdhëroi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme shkaku se e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi. Po në atë vendim që ishte jashtë çdo logjike juridike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori rolin e gjykatave të tjera duke e ndaluar kandidimin për deputetë të gjithë atyre që në tri vitet e fundit janë dënuar, me një vendim të plotfuqishëm për ndonjë vepër penale, pa e specifikuar natyrën e veprës dhe nëse ky vendim i gjykatës prodhon efekt dhe pasoja juridike”, thuhet në njoftim.

KMDLNj vlerëson se ndalimi i kandidimit për deputetë është i padrejtë dhe kundër të drejtave të njeriut “sepse u mohohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pa një vendim të gjykatës kompetente, si masë shtesë, masë mbrojtëse apo ndalim të ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë të caktuar kohore”.

KMDLNj thotë se e kundërshton vendimin eventual që pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje për Albin Kurtin, Donika Kadaj – Bujupi, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe shumë të tjerë, si shkelje të të drejtave të njeriut për faktin se, siç theksojnë, asnjëri nga ta nuk ka ndalesë ligjore nga gjykatat që kanë marrë vendim të formës së prerë për dënimin e tyre.

Gjykata Kushtetuese ka pasur mundësi të propozojë që në zgjedhjet tjera të vendoset ky standard juridik dhe që do të ishte detyrues për të gjithë. Në rastin konkret do të dëmtoheshin kandidatët që, me këtë vendim do të pamundësohen të garojnë për deputetë por do të favorizoheshin subjektet politike të këtyre deputetëve.

T’ua mohosh të drejtën për t’u zgjedhur kandidatëve, në rastin konkret, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli, që në zgjedhjet e fundit kanë fituar mbi 250.000 vota, është nonsens i llojit të vet, jonormal dhe kundër logjikës së shëndoshë!

Ta bësh këtë me pretekstin se me këtë veprim ruhet dhe mbrohet integriteti i deputetit të Kuvendit të Kosovës është përqeshje pikërisht me këta deputetë për faktin se, nëse Albin Kurti zgjidhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës ndërsa të tjerët janë ministra të mundshëm, po këta deputetë do t’i votojnë kandidatët të cilëve iu është mohuar e drejta e garimit për deputetë”, thuhet tutje në njoftim.

KMDLNj ka ftuar të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të bëjnë fushatë të qetë, të jenë të matura dhe të kujdesshme në premtimet që i bëjnë

Qytetarët kanë nevojë imediate për një gjyqësi profesionale dhe të pavarur që do të luftojë dukuritë negative që thelbësisht ndikojnë në cilësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarit – votuesit. Antiamerikanizmi apo proamerikanizmi janë kartë e djegur në përpjekje të manipulohet votuesi dhe të diskreditohet kundërshtari politik. Gjithashtu, mendësia se qytetarët e Kralevës (Serbi) janë të ofenduar nëse krahasohen me votuesit e PDK-së është cilësim krejtësisht racist dhe në kundërshtim me të gjitha normat morale e që aspak nuk kontribuojnë për një debat konstruktiv parazgjedhor për faktin se zgjedhjet nuk po mbahen në Serbi por në Kosovës”, përfundon njoftimi.

/Gazeta Sinjali/