image KMDLNJ kundërshton fuqishëm që serbëve të Veriut t’iu paguhet rryma

Kosovë

Reagim/ KMDLNJ kundërshton fuqishëm që serbëve të Veriut t’iu paguhet rryma

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar lidhur me mundësinë e ndarjes së mjeteve financiare në vlerë prej 15 milionë euro për shlyerjen e borxhit të energjisë elektrike për serbët e veriut të Kosovës.

KMDLNJ ka thënë se e kundërtshon fuqishëm një vendim të tillë, të cilin e konsideron diskriminues për konsumatorët shqiptarë të cilët janë të rregullt për pagimin e shpenzimeve.

“KMDLNj, kundërshton fuqishëm që serbëve të Veriut t’iu paguhet rryma (përjashtuar këtu rastet sociale) sepse po i diskriminon konsumatorët e tjerë shqiptarë dhe joserbë aq më parë që kemi raste kur përmbaruesit privatë ua bllokojnë xhirollogaritë edhe pensionistëve shqiptarë që nuk kanë mundësi t’i shlyejnë borxhet e grumbulluara”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNj-së

Tutje, KMDLNJ ka kërkuar që të bëhet kompensimi i banorëve shqiptarë, të cilët janë detyruar të paguajnë edhe borxhin e banorëve serbë të Kosovës.

“Konsumatorët e rregullt e që janë vjedhur plotë 15 vite pas përfundimit të luftës duhet të kompensohen për dëmet që u janë bërë”, thonë nga KMDLNJ. /Gazeta Sinjali/

Më poshtë mund ta lexoni reagimin plotë:

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, serbët e Veriut të Kosovës si dhe të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës kanë refuzuar të paguajnë për rrymën e shpenzuar, ujin si dhe për mbledhjen e mbeturinave. KMDLNj pati reaguar disa herë për faktin se kishte dyshime që faturat që nuk shlyheshin nga serbët (sidomos për shpenzimet e rrymës) u faturoheshin konsumatorëve shqiptarë e që, më së paku që mund të thuhet është plaçkitje apo futja e duarve (KEDS-it) në xhepat e konsumatorëve, të cilët , përkundër shumë vështirësive i shlyejnë borxhet me rregull. Dyshimet e KMDLNj-së njëkohësisht ishin edhe dyshimet e Institucionit të Avokatit të Popullit i cili pas një hulumtimi doli me një raport ku vërtetohet që konsumatorët e rregullt dëmtohen duke e paguar rrymën për serbët e Veriut. Pas kësaj kur edhe KEDS-i nuk e mohoi se faturat e konsumatorëve të rregullt pagues po dëmtohen ishte një qëndrim i Qeverisë të ndërpritet me këtë hajni legale sikur që edhe konsumatorët e dëmtuar të kompensohen për dëmet që u janë bërë përmes uljes së faturave.

KMDLNj pati kërkuar dhe kërkon që kompensimi i dëmeve të shkaktuara thuaja për 15 vjet pas përfundimit të luftës të bëhet në mënyrë të prekshme dhe të matshme e që nuk është bërë deri më sot. Për këtë arsye KMDLNj, pati kërkuar që konsumatorët të mos i paguajnë faturat për aq kohë sa nuk do të kompensohen dikur që pati bërë ftesë publike që qytetarët të protestojnë kundër kësaj plaçkitjeje që ia bënë KEDS-i , me miratim në heshtje të institucioneve të Kosovës.

KMDLNj, kundërshton fuqishëm që serbëve të Veriut t’iu paguhet rryma (përjashtuar këtu rastet sociale) sepse po i diskriminon konsumatorët e tjerë shqiptarë dhe joserbë aq më parë që kemi raste kur përmbaruesit privatë ua bllokojnë xhirollogaritë edhe pensionistëve shqiptarë që nuk kanë mundësi t’i shlyejnë borxhet e grumbulluara.

Nëse Qeveria e Kosovës i ndanë 15 milionë euro për t’i mbuluar shpenzimet e rrymës së papaguar për serbët e Veriut, e shkelë ligjin kundër diskriminimit duke përligjur këtë diskriminim në baza etnike e që paraqet shkelje flagrante të të drejtave të njeriut duke cenuar parimin e barazisë të qytetarëve të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshore, gjinore apo statusit në shoqëri.

KMDLNj e përkrah vetëm kriterin social si kusht për lehtësim apo shlyerje të borxheve të grumbulluara, pa bërë dallime në baza etnike , në të kundërtën nëse edhe kjo qeveri vazhdon me praktika të diskriminimit sikur ato para saj, do të cilësohet si qeveri që i shkel të drejtat e njeriut përmes zbatimit të diskriminimit në baza etnike, shkeljes së barazisë dhe varfërimit edhe më të madh të atyre që janë kategori sociale, pensionistët në radhë të parë.

KMDLNj shpreson dhe pret që kjo qeveri të jetë më e vëmendshme duke mos lejuar asnjë lloj diskriminimi. Ndryshe do të ftojë konsumatorët e rregullt të mos i paguajnë faturat sikur edhe të protestojnë në mbrojtje të interesave të veta. Konsumatorët e rregullt e që janë vjedhur plotë 15 vite pas përfundimit të luftës duhet të kompensohen për dëmet që u janë bërë./Gazeta Sinjali/