Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga Policia dhe Prokuroria e Shtetit që të hetohet rasti i kërcënimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”.
“Sipas një postimi nga kryeministri Kurti qytetarët e Kosovës janë informuar se kryeministri Kurti qenka kërcënuar me jetë si dhe familje nga “Garda Vullnetare Shqiptare “, e panjohur deri më tani. KMDLNj është e shqetësuar sepse është rritur numri i kërcënimeve përmes rrjeteve sociale e që po shkakton pasiguri për të kërcënuarit sikur edhe për opinionin, aq më parë që këto raste nuk po zbulohen dhe se edhe në raste kur po zbulohen shqiptimi i masave po jetë në shpërputhje të madhe me pasojat që po i shkakton”.
Ky këshill pret dhe kërkon nga Policia e Kosovës përkatësisht nga Njësia kundër krimeve kibernetike dhe Prokuroria e Shtetit ta hetojnë rastin në mënyrë që kërcënuesit të nxirren para drejtësisë dhe të pamundësohet hapësira për spekulime apo përfitime politike nga kushdoqoftë që e ka një qëllim të tillë.
KMDLNj njëherit kërkon nga të gjitha palët të përmbahen nga deklarimet siç thonë në këtë këshill “paragjykuese dhe spekulative e që kanë për qëllim të ushtojnë presion dhe ndikim në opinion, ekskluzivisht për qëllime politike”.
KMDLNj thotë se e përkrah plotësisht reagimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila kërkon që t’i mos i bëhet presion gjatë shqyrtimit të rastit të Dekretit të Presidentit për mandatarin e propozuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
“Në këtë kontekst për KMDLNj është i papranueshëm dhe absurd çdo kërkesë e zyrtarëve dhe bartës të posteve institucionale për mosrespektim apo mospranim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese , cilido qoftë ai vendim. Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është i padiskutueshëm dhe çdo thirrje për kundërshtim, qoftë përmes protestave apo moszbatim është rrezikim i rendit kushtetues në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtij Këshilli./Gazeta Sinjali/