“Nuk është hera e parë që nuk kemi terapi. Edhe vite më përpara ka ndodhur kjo, sepse ka shumë vite që jam i infektuar”, thotë për Radion Evropa e Lirë një i infektuar me virusin HIV, i cili trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ka më shumë se dhjetë ditë që ky institucion nuk e ka terapinë që u duhet të të prekurve me sëmundjen infektuese HIV/AIDS.
“Kjo po na ndikon në shëndet, e për më tepër po e prek edhe gjendjen tonë psikike”, thotë bashkëbiseduesi i REL-it.
Në Kosovë, aktualisht, janë rreth 80 persona të varur nga terapia për HIV/AIDS. Ata e marrin terapinë në klinikë, pa pasur nevojë për t’u shtruar në spital.
Në Klinikën Infektive thonë se porositë për medikamente i kanë bërë me kohë në barnatoren qendrore të QKUK-së, por se “ato mungojnë”.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, e cila është përgjegjëse për furnizimin me barna, konfirmon për REL-in se medikamentet që mungojnë për pacientët me HIV, pritet të arrijnë gjatë ditë së mërkurë në aeroportin e Prishtinës – pastaj pritet të bëhet zhdoganimi dhe shpeditimi.
Cilat barna mungojnë?
Shefi i repartit për HIV brenda Klinikës Infektive, Murat Mehmeti, thotë se janë së paku dy lloje medikamentesh që mungojnë e që “nuk dihet se kur do të mund të sigurohen”.
“Ka më shumë se dhjetë ditë që ne kemi mungesë të barit Dolutegravir dhe, po ashtu, është një kombinim tjetër i barit Lopinavir/Ritonavir, i cili ka skadim të afatit dhe si të tillë nuk mund t’ua japim pacientëve”, thotë Mehmeti.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon pasojat që mund t’i shkaktojë trajtimi jo i vazhdueshëm:
“Mungesa apo mosmarrja e rregullt e terapisë rrit mundësinë e zhvillimit të rezistencës së virusit ndaj barnave. Pra, nëse nuk jepet me rregull, përkatësisht nëse ndërpritet marrja e këtyre barnave”.
Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave me HIV, thotë se ka pranuar disa ankesa për mungesë medikamentesh në Klinikën Infektive.
“Po thonë se [barnat] janë në doganë, por, ta them të drejtën, neve nuk na intereson se ku janë barnat – ato na duhen në klinikë”, thotë ai.
Virusi HIV e dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.
Sipas të dhënave nga Klinika Infektive, vitin e kaluar janë identifikuar 14 raste të reja me HIV/AIDS, kurse deri më tash këtë vit janë evidentuar edhe shtatë raste të reja. Shumica e të infektuarve janë burra.
Rasti i parë me HIV/AIDS në Kosovë është paraqitur në vitin 1986 dhe që atëherë rreth 50 persona kanë humbur jetën.
Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallë më të ulët të HIV/AIDS-it.