Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, me ftesë të homologut izraelit, Yair Lapid, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Izrael që nga 8 maji.
Në kuadër të kësaj vizite, ministrja Gërvalla do të takohet me homologun e saj Lapid, me kryetarin e Jerusalemit Moshe Leon, ministrin për
Jerusalemin dhe Trashëgiminë Zeev Elkin, kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike Uriel Lynn dhe një grup mërgimtarësh, të cilët jetojnë në Izrael.
Gjatë kësaj vizite temat kryesore do të jenë avancimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare.
“Me qëllim të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe do të nënshkruhen katër marrëveshje të bashkëpunimit, përmes të cilave Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Izraelit do të angazhohen për të promovuar dhe intensifikuar bashkëpunimin në fushën e edukimit, kulturës, bashkëpunimit ekonomik, bujqësisë, ujërave, shkencës, teknologjisë, inovacionit, shëndetësisë dhe fushave të tjera me interes të përbashkët” thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Vizita e ministres Gërvalla në këtë shtet është e para e një ministri të Punëve të Jashtme të Kosovës, që nga njohja e Republikës së Kosovës nga Izraeli.