Autoritetet kineze kanë marrë një sërë masash për të forcuar mbrojtjen dhe kujdesin ndaj stafit mjekësor që po trajtojnë të prekurit me koronavirus.
Sipas asaj që raportojnë mediat e huaja, Kina ka vendosur t’ua rritë pagat personelit mjekësor që po merren me parandalimin dhe trajtimin e koronavirusit.
Në dokumentin përkatës thuhet se pagat dhe përfitimet për personelin mjekësor, duhet të rriten dhe të infektuarit duhet të kompensohen nëpërmjet sigurimeve.
Sipas dokumentit, duhet të përmirësohen shërbimet për punonjësit mjekësorë në vijën e parë, si ofrimi i ushqimeve të pastra e me vlera të pasura ushqyese dhe shërbimet e mira të transportit.
Gjithashtu, thuhet se duhet të merren masa për të siguruar që personeli të ketë kohë të mjaftueshme për të pushuar dhe rimarrë veten, ndërsa familjeve të tyre gjithashtu duhet t’u ofrohet ndihmë nëse kanë nevojë.