Mbrëmjen e së enjtes një grup i studentëve aktivistë ka vendosur parulla në objektet e Universitetit të Prishtinës, për siç thonë ata, kundër plagjiaturës së profesorëve. Pas vendosjes së këtyre parullave, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast një 20-vjeçare është shoqëruar në stacion policor.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se nuk bëhet fjalë për ndonjë incident, por për armëmbajtje pa leje.
E dyshuara 20-vjeçare është kontrolluar nga zyrtarët policorë, me ç’rast në çantë i është gjetur një sprej, që është konfiskuar, ndërsa e njëjta është shoqëruar në Polici.
Pas intervistimit nga ana e hetuesve policorë, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim për inicim të rastit si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe, në komunikatën për media bëhet e ditur se në objektin e Fakultetit Filozofik është vendosur parulla: “Këtu ka plagjiatorë”, ndërsa në objektet tjera “UP – Fole e plagjiatorëve” si reagim ndaj mosndëshkimit të plagjiaturës.