Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zgjeruar pistën e hetimeve për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasëve turq, që ndodhi në mënyrë të mistershme në mars të vitit të kaluar. Sinjali merr vesh që përveç 22 kallëzimeve penale që Inspektorati i Policisë u ka bërë policëve, me autorizim të Speciales po hetohen edhe tri institucione tjera të larta.
Bëhet fjalë për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, nga kjo e fundit tashmë janë intervistuar dy zyrtarë të lartë, mëson Sinjali.
Hetimet rreth rastit “Gylenistët”, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është duke i zhvilluar në tri drejtime.
“Inspektorati Policor i Kosovës është marrë me hetimin e policëve, pjesa që ka të bëjë me Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Ministrinë e Infrastrukturës përkatësisht Departamentin për Aviacion Civil si dhe Departamentin për Migracion dhe të Huaj në kuadër të MPB-së, me autorizim të Prokurorisë Speciale janë duke u hetuar nga policia”, tha për Sinjalin ky burim shumë i sigurtë brenda prokurorisë.
Prokurori i këtij rasti nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke u marrë me hetimin e zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës të dyshuar për implikim në këtë çështje. Sipas burimeve të Sinjalit brenda PSRK-së, tashmënga AKI-ja veçse janë intervistuar dy zyrtarë të lartë për sëbimin e gjashtë shtetasëve të huaj.
Lexo KËTU edhe emrat e policëve ndaj të cilëve u ushtrua kallëzim penal.
Në mars të vitit të kaluar Policia e Kosovës arrestoi gjashtë shtetas turq, punonjës në disa shkolla të njohura si kolegjet “Mehmet Akif”, në pronësi të klerikut turk, Fethullah Gylen, i shpallur nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, si njeriu kryesor i përpjekjes për grusht shtet në Turqi.
Në një operacion të mistershëm gjashtë shtetasit turq që punonin në Kosovë iu dorëzuan autoriteteve turke. Ky veprim u cilësua i jashtëligjshëm dhe për të u formua edhe komision hetimor parlamentar.
Komisioni në një raport që u miratua nga Kuvendi i Kosovës, gjeti që Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, kanë bërë 31 shkelje gjatë operacionit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Ndërsa, në tërë këtë situatë, barra po i bie policëve që vetëm i kanë zbatuar urdhërat e personave që lejuan dëbimin e shtetasëve turq.
Për këtë çështje Sinjali ka dërguar pyetje në PSRK dhe gjatë ditës priten informacione të reja. /Sinjali/