Lufta kundër koronavirusit është një sfidë e vërtetë dhe ende e panjohur plotësisht për mjekët.
Dhe natyrisht ngrihen shumë pyetje rreth saj se si ajo e sulmon trupin. Cilat janë simptomat. Kush ka më shanse të sëmuret rëndë ose të vdesë? Si trajtohet?
Tashmë disa prej përgjigjeve janë dhënë nga mjekët e spitalit të Jinyintan të cilët po përballen në vijë të parë me këtë epidemi.
Është publikuar një analizë e detajuar nga mjekimi i 99 pacientëve të parë, një analizë e publikuar në revistën mjekësore Lancet.
Ndikimi tek mushkëritë
Të 99 pacientët e marrë për këtë analizë vuanin nga pneumonia. Mushkëritë e tyre janë irrituar ndërkohë që qeskat mikroskopike në të cilat kalon oksigjeni nga ajri në gjak kishin filluar të mbusheshin me ujë.
Simptoma të tjera ishin temperaturat e larta, kolla, vështirësitë në frymëmarrje, dhimbje koke dhe fyt të infektuar.
82 prej tyre kishin rritje temperature, 81 kollë, 31 vështirësi në frymëmarrje dhe fyt të infektuar.
Viktimat e para
Dy pacientët e parë që u diagnostikuan u dërguan dhe u ekzaminuan në spital, në pamje të parë ishin të shëndetshëm.
Pas shtrimit në spital dhe ushtrimit të testeve rezultoi se një 61 vjeçar kishte probleme me mushkëritë të cilat nuk ishin në gjendje që të furnizonin organet e tjera me oksigjen.
Ai vdiq 11 ditë pas shtrimit. Edhe pacienti i dytë kishte të njëjtat simptoma ndaj ai u lidh me një pajisje që shërben si mushkëri artificiale por duket se dhe ajo nuk ishte e mjaftueshme.
Ai vdiq nga ulja e tensionit në gjak si dhe pneumonia.
10 përqind e të testuarve vdes
Deri në 25 janar, nga 99 pacientët e testuar, 57 prej tyre janë ende në spital teksa i ushtrohen mjekimeve.
31 kanë dalë nga spitali ndërsa 11 prej tyre vdiqën.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që përqindja e vdekshmërisë është 10 pasi ka ende pacientë që po i ushtrohen mjekimeve.
Punonjësit e tregut
Nga rezultatet e para dyshohet se origjina e virusit vjen nga gjallesat e një markate të produkteve të detit në Ëuhan.
49 nga 99 pacientët e marrë, kishin kontakt të drejtëpërdrejtë me tregun. Shumë prej tyre punonin atje.
Grupmosha e infektuar
Shumica e personave të analizuar janë të moshës 56 deri në 67 vjeçare dhe shumica janë meshkuj.
Nga këto statistika, ato arrijnë në përfundimin se meshkujt janë më të predispozuar për tu infektuar por kjo mbetet ende për tu studiuar.
Dr Li Zhang, thotë: “Ndjeshmëria e zvogëluar e femrave ndaj infeksioneve virale mund t’i atribuohet mbrojtjes nga kromozomi X dhe hormonet seksuale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në imunitetin e trupit të tyre”.
Sëmundje të mëparshme
Shumica e 99 personave të testuar vuanin dhe nga sëmundje të tjera të mëparshme si diabeti, tensioni probleme me zemrën.
Kjo i bën ata më të ekspozuar për tu infektuar me këtë virus./Gazeta Sinjali/