Qeveria e Kosovës më 30 nëntor miratoi masat e reja kundër koronavirusit, të cilat hyjnë në fuqi nesër, më 6 dhjetor.
Sipas masave të reja, qytetarët që do të hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë, të testeve negative apo dëshmisë se e kanë kaluar koronavirusin.
Mes tjerash kërkohet nga të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë pas datës 3 janar 2022, të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë, ose një dozë të vaksinës bashkë me test negativ PCR, ose një dozë e vaksinës me dëshminë e kalimit të sëmundjes.
Me masat aktuale, hyrja në Kosovë mundësohet me test negativ PCR.
Shtetasve të Kosovës dhe atyre me qëndrim të përkohshëm, me masat e reja, u jepet “mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikat kufitare” tokësore, por edhe në aeroportin “Adem Jashari”.
Nga paraqitja e dëshmive për vaksinim apo të testeve për COVID-19 përjashtohen personat që kalojnë transit nëpër Kosovë, personat nën 12 vjeç si dhe ata që kanë dëshmi mjekësore se nuk mund të vaksinohen.
Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.
“Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Delta vazhdon të jetë dominues te ne, shfaqja e rasteve me variantin Delta Plus dhe se në vendet e tjera në rajon dhe botë ka përkeqësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike. Më 26 nëntor, OBSH-ja ka njoftuar për shfaqjen e variantit të ri të quajtur Omicron si variant shqetësues ku kërkohet vigjilencë e shtuar në mbikëqyrjen epidemiologjike dhe zbatimin e masave si vaksinimi dhe masave jofarmaceutike për të parandaluar përhapen e COVID-19”, thuhet në arsyetimin e Qeverisë.
Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, sektor i cili lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.
Sa i përket arsimit, të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të punojnë me prani fizike dhe orar të rregullt, ndërkaq niveli universitar do të lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve dhe studentëve do t’u kërkohet që të paraqesin dëshmitë e vaksinimit apo testeve negative, nëse duan të hyjnë në objektet shkollore.
Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Të gjitha masat e fundit mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.